Gashi: Ta harrojmë fitoren me ‘Niklin’, fokusi te Flamurtari

19 prill 2019 | 18:19

Dren Gashi ka thënë për “Epokën e re” se Ferizaj duhet ta harrojë fitoren nga Feronikeli dhe te fokusohet për ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit.

Sulmuesi i skuadrës së Ferizajt, Dren Gashi, e ka vlerësuar shumë të rëndësishme fitoren në ndeshjen e fundit ndaj Feronikelit në Drenas (1-2). Ai të enjten për “Epokën e re” ka thënë se kjo fitore duhet të harrohet sa më shpejt dhe të rikthehet fokusi te ndeshja me Flamurtarin dhe ndeshjet e tjera në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. “Synimi ynë është mbijetesa, qoftë edhe nëpërmjet barazhit. Jemi duke punuar maksimalisht për ta arritur objektivin e klubit, që është mbetja në Superligë. Fitorja me Feronikelin ka qenë shumë e rëndësishme dhe normalisht se na ka dhënë edhe më shumë motiv për ndeshjet e radhës. Në atë ndeshje kemi pasur paraqitje të mirë, ku kemi treguar edhe karakter të fortë, por këtë fitore duhet ta harrojmë sa më shpejt dhe të fokusohemi për ndeshjet e radhës, pasi secila ndeshje ka rëndësinë e vet dhe për në të gjitha janë si finale”, ka thënë Gashi.

Duke folur për ndeshjen që zhvillohet të hënën në Ferizaj, Gashi ka thënë se fitorja është obligim për skuadrën e drejtuar nga Bylbyl Sokoli, pasi është e vetmja rrugë që e dërgon drejt mbetjes në elitën e futbollit të Kosovës. “Ndeshja ndaj Flamurtarit do të jetë shumë e vështirë për ne, por edhe për kundërshtarin. Flamurtari ka një skuadër të mirë dhe është rivali ynë për mbijetesë, prandaj duhet ta japim maksimumin që të paraqitemi mirë dhe të fitojmë këtë ndeshje. Tri pikë të reja do të në dërgonin edhe më afër synimeve që kemi”, ka shtuar Gashi.

Skuadra e Ferizajt nuk pati paraqitje të mira në sezonin vjeshtor dhe, përveç vonimit të përgatitjeve për sezonin pranveror, kjo skuadër bëri ndryshime edhe në shtabin teknik, ku në vend të Afrim Tovërlanit u emërua Bylbyl Sokoli. Skuadra e Ferizajt aktualisht pozicionohet në pozitën e dhjetë me 28 pikë të grumbulluara, katër pikë më shumë se Liria që është një pozitë më poshtë dhe katër pikë më pak se Flamurtari dhe Ballkani që pozicionohen në pozitat tetë dhe nëntë.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, koordinatori Nacional për…