Gashi takon Hoxhiqin, bisedojnë për gjendjen në veri të Kosovës

05 shkurt 2019 | 13:40

Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Skënder Gashi, është takuar me ish-shefen e Zyrës Administrative në veri, Adrijana Hoxhiq, me të cilën ka biseduar për gjendjen në veri të Kosovës dhe për krijimin e urave të bashkëpunimit në mes të komuniteteve që jetojnë në atë pjesë.

“Pas shumë vizitave dhe hulumtimeve që po i bëjë në pjesën veriore të Kosovës, në komunat Leposaviq, Zveqan, Zubin Potok dhe Komunën e Mitrovicës së Veriut, takova Adrijana Hoxhiqin, zyrtare kryesore ekzekutive e komunës së veriut në Republikën e Kosovës. Kjo zonjë me dekada punoi në stabilizimin e gjendjes politike, ekonomike dhe sociale. Është e vetmja zonjë që u mundua të krijojë raporte dhe ura miqësore – lidhëse për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës”, ka thënë Gashi pas takimit.

Ai ka theksuar se Brukseli duhet ta shtrijë politikën konkrete, në mënyrë që qytetarët e kësaj ane ta ndjejnë vetën e lirë.

“Ajo më njoftoi se i vetmi faktor për stabilizimin dhe vendosjen e raporteve të shëndosha në këtë pjesë të Republikës së Kosovës janë ngritja e urave të shëndosha në mes të popullatës dhe zhvillimit ekonomik. Nga këtu nxora një konkluzion se bashkësia evropiane dhe në veçanti Brukseli, duhet ta shtrijë politikën e pastër dhe konkrete, që qytetarët ta ndiejnë vetën të lirë pa dallim nacionaliteti, sepse qytetarët e kësaj pjese kanë shtetin e vet, Republikën e Kosovës dhe duhet të ndihen të lirë të jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet”, ka thënë Gashi, duke përgëzuar Hoxhiqin për punën e mrekullueshme që po bën me qytetarët e kësaj pjese.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy burra janë gjetur të vdekur pas përmbytjeve që kanë…