Gazetari i “Reuters”-it vritet në Afganistan

16 korrik 2021 | 14:13

Agjencia e lajmeve “Reuters” ka njoftuar se gazetari i saj, Danish Siddiqui, është vrarë duke mbuluar një përleshje midis forcave afgane të sigurisë dhe militantëve talibanë, pranë një vendkalimi kufitar me Pakistanin.

Bashkë me të janë vrarë edhe një oficer i lartë afgan.

Sulmi ka ndodhur pranë një tregu në qarkun Spin Boldak.

Siddiqui po përcillte forcat afgane që nga fillimi i kësaj jave në provincën jugore të Kandaharit.

“Danish ishte një gazetar i shquar, një burrë dhe baba i përkushtuar dhe një koleg shumë i dashur. Mendimet tona janë me familjen e tij në këtë kohë të tmerrshme”, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidenti i agjencisë “Reuters”, Michael Friedenberg dhe kryeredaktorja Alessandra Galloni.

Siddiqui ishte pjesë e ekipit fotografik të “Reuters”-it, që ka fituar Çmimin Pulitzer në vitin 2018 me fotografinë që dokumentonte krizën e refugjatëve Rohingya, në Mianmar.

Siddiqui ka punuar për agjencinë e lajmeve “Reuters” qysh në vitin 2010.

Ai, mes tjerash, ka mbuluar luftërat në Afganistan dhe Irak, krizën e refugjatëve Rohingya, protestat e Hong Kongut dhe tërmetet në Nepal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka marrë vendim për miratimin…