Gazi amerikan, Behrami: Gjermania braktisi projekti rus për t’iu përshtatur kërkesave të ShBA-së, Kosova po refuzon
Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, ka kritikuar sërish kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për refuzimin që po i bën projektit të gazit amerikan.
Ai ka rikujtuar se Gjermania ka hequr dorë nga një projekt rus prej 11 miliardë eurosh për t’iu përshtatur kërkesave dhe interesave strategjike të ShBA-së.
Behrami ka shkruar në “Facebook” se Kosova po refuzon të bëjë një gjë të tillë.
“Gjermania hoqi dorë nga një projekt rus prej 11 miliardë eurosh dhe ndryshoi krejtësisht strategjinë e saj energjetike për t’iu përshtatur kërkesave dhe interesave strategjike të ShBA-së. Ndërkohë, në Kosovë, Albin Kurti refuzon vazhdimisht kërkesat e Amerikës për të kufizuar ndikimin rus/serb në Ballkan dhe për të koordinuar veprimet me partnerët tanë strategjikë. Kostoja për Kosovën mund të jetë izolimi politik dhe dëmtimi i aleancës sonë më të rëndësishme, ShBA-së, e cila edhe sot ruan integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, ka shkruar Behrami.



