Gërbeshi ndahet me Dritën, afër marrëveshjes me Gjilanin

06 qershor 2021 | 22:13

Futbollisti Fidan Gërbeshi është larguar edhe zyrtarisht nga skuadra e Dritës, por ai mund të mbetet në qytetin e Gjilanit, pasi është afër marrëveshjes me SC Gjilani.

Fidan Gërbeshi të shtunën e zyrtarizoi largimin nga skuadra e Dritës me të cilën edicionin e kaluar arriti të shpallet kampion i Kosovës dhe mori pjesë në garat ndërkombëtare. Qendërmbrojtësi falënderoi të gjithë atë që bashkëpunoi në skuadrën gjilanase.

“Ju njoftoj se nuk jam më pjesë e FC Drita. Falënderoj presidentët e klubit, kryesinë, shtabin teknik, stafin mjekësor, bashkëlojtarët e mi që ishim një grup i mrekullueshëm si dhe ‘Intelektualët’ që bënë gjithçka për ne si në fitore ashtu në humbje. Krejt në fund e falënderoj legjendën e klubit, Shpend Sylejmani, që na qëndroi afër për gjithçka”, ka thënë Gërbeshi.

Gazeta “Epoka e re” ka mësuar se Gërbeshi është në bisedime me skuadrën e Gjilanit dhe se është afër marrëveshjes. I kontaktuar të dielën nga redaksia e sportit, Gërbeshi nuk dha shumë hollësi për të ardhmen. Ai mohoi që ka arritur  marrëveshje dhe se është në negociata me skuadrën e Ulpianës, por një mohim të tillë nuk e pati edhe në lidhje me ofertën e Gjilanit.

“Askush nga Ulpiana nuk më ka kontaktuar dhe nuk kam arritur ende marrëveshje me asnjë klub. Gjilani? Për hir të korrektësisë nuk mund të tregoj se kush më ka kontaktuar, por jam në bisedime me disa klube të Superligës. Shumë shpejt do të marr një vendim për të ardhmen dhe do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Gërbeshi.

Mbrojtësi veteran ka mbrojtur ngjyrat e Ulpianës, Fushë-Kosovës dhe Feronikelit, derisa në karrierën e tij është shpallur katër herë fitues i titull kampion dhe dy herë i Kupës.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtar i kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh…