Gërxhaliu: Kosova nuk guxon të dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në

28 shkurt 2020 | 11:57

Ditët e fundit ka pasur debate të ndryshme rreth heqjes se tarifës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, si dhe mundësinë që SHBA mund të ndërmarrë ndonjë masë ndaj Kosovës, nëse qeveria nuk e heq komplet tarifën ndaj dy shteteve.

Njohësi çështjeve ekonomike Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se qeveria e Kosovës duhet të punojë sipas direktivave të miqve ndërkombëtar, në këtë rast të SHBA-së. “Ne duhet të jemi në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shteteve të BE-së. Ne nuk duhet të humbasim kohë dhe të kemi ndonjë pasojë negative për Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas tij, është koha që të kemi konsensus politik dhe të mos dalim para akterëve ndërkombëtar të përçarë. “Në rend të parë që duhet të pajtohemi për një konsensus të gjerë. Kosova është në një situatë të rëndë. Duhet të mendojmë për shtet dhe të mos jemi pre e qarqeve të ndryshme politike. Duhet të bazohemi në realitetin që jemi tani. Ne kemi humbur shumë kosh për tema të ndryshme, siç ka qenë edhe demarkacioni. Prioritet i Kosovës është sundimi i ligji, zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia e tema të tjera me rëndësi për Kosovën”, ka deklaruar ai për “rtklive”.

Gërxhaliu vlerësoi se politika e Kosovës duhet të ngritët nga  çështjet lokale dhe të mendojë më gjerë.

Ndryshe në një konferencë për media të mbajtur të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”. “Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.

Kryeministri Kurti ka theksuar që Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë lartë vendimin e palës së Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke e ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit, që do të mbahet më 7 maj 2020.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në vitin 2018 për shkak të tarifës së vendosur ndaj mallrave serbe nga ana e qeverisë së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rihanna, një ikonë mode, organizoi një festë me rastin e…