Gërxhaliu: Kosova urgjentisht duhet të aplikojë për anëtarësim në OBT

19 qershor 2018 | 15:36

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, gjatë një konference për medie ka apeluar te institucionet e vendit që ta kthejnë vëmendjen kah ekonomia.

Ai urgjentisht ka kërkuar që Kosova të aplikojnë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Gërxhaliu ka theksuar se agjenda ekonomike duhet të jetë prioritet i institucioneve vendore, në mënyrë që siç ka thënë si ta zëmë hapin e agjendave evropiane.

Ai ka shtuar se Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim në OBT.

Gërxhaliu ka bërë me dije se nga anëtarësimi në këtë organizatë fillimisht efektet nuk mund të jenë pozitive për shkak të aftësisë sonë jokonkurruese me vendet anëtare.

“Në periudhën afatshkurtër nuk pritet që të kemi rezultate pozitive për shkak të aftësisë sonë të dobët konkurruese, por në periudhën afatgjatë efektet do të jenë pozitive, duke filluar nga balanci tregtar, tërheqja e investimeve të huaja, përmirësimi i imazhit dhe ulja e shkallës së papunësisë”, është shprehur Gërxhaliu.

Kurse, Sytrime Dervisholli nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka bërë një rezyme rreth historikut të Kosovës në drejtim të OBT-së.

Ajo ka thënë se që dy vite e gjysmë kanë filluar hapat në këtë drejtim sa u përket dokumentacioneve.

Dervisholli ka thënë se MTI-ja nuk ka qëndruar duarkryq në këtë proces. Sipas saj, MTI-ja ka zhvilluar vizita në Gjenevë nga ku dolën rekomandimet që Kosova të aplikojë në rolin e vëzhguesit në OBT.

Në pyetjen se kur pritet që Kosova të aplikojë për anëtarësim në OBT, Dervisholli nuk ka thënë ndonjë datë konkrete, por ka theksuar se për këtë çështje duhet të ketë koordinim mes institucioneve gjegjëse. “Jemi në biseda me zyrën e kryeministrit. Po ashtu është duke u bërë punë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme. Pra, kemi një trekëndësh koordinimi në këtë proces”, ka deklaruar Dervisholli.

Albulena S. MAVRAJ/ Epoka e re

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar regjistrimi i nxënësve në klasat e dhjeta në…