Gërxhaliu: Policët e kidnapuar të lirohen pa kushte. Dialogu me partneritetin ndërkombëtar, i pazëvendësueshëm për të ardhmen e Kosovës

16 qershor 2023 | 12:17

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka folur për situatën e fundit në vend, sidomos për situatën në veri dhe ndikimin që kjo do të ketë edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Gërxhaliu në një bisedë për “Epokën e re” ka thënë se Kosova në këtë situatë duhet të jetë në vijë me faktorin ndërkombëtarë, aleatët e saj strategjikë, sidomos më ShBA-në.

“Kohet e fundit është një debat dhe situatë mjaftë e shqetësuar në Kosovë, në veçanti sa i përket raporteve dhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e sidomos ndodhitë në veri. Në këtë drejtim definitivisht duhet të qetësohen gjakrat dhe të ketë racionalitet në veprime dhe deklarata. Rasti i policëve të kidnapuar është shqetësues dhe dua të besoj e të pajtohemi të gjithë se rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë është partneriteti dhe dialogu me faktorin ndërkombëtar. Nuk i bëhet nder Kosovës me një patriotizëm të ekzaltuar të individëve të caktuar që në emër të patriotizmit janë në gjendje ta kallin Kosovën dhe ardhmërinë e saj”, ka thënë ai.

Njohësi i ekonomisë, Gërxhaliu ka theksuar se sot jemi dëshmitar që në Kosovë ka shumë pak investitorë të huaj apo fare pak, raporton “Epoka e re”.

“Situata aktuale vërtet është shqetësuese dhe duhet të kuptohet që stabiliteti politik është kusht i zhvillimit ekonomik. Në ketë drejtim me këto pamje nga veriu dhe tërë Kosova do të jetë shumë e vështirë të jemi atraktiv për investitorë të huaj, kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti që në kufi janë ndaluar mallra të importit nga Serbia dhe po e shihni se situata është më alarmuese dhe shqetësuese”.

“Në këtë drejtim besoj se duhet gjakftohtësi dhe dialog. Duhet të kuptohet se nuk ka dalje nga kjo situatë pa një mbështetje dhe partneritet të mirëfilltë me ShBA-në dhe me vendet evropiane dhe në veçanti me KFOR-in dhe EULEX-in. Çdo tentativë tjetër do të jetë dërgesë në humnerë e Kosovës dhe kjo situatë do t’i gëzojë më së shumti armiqtë e Kosovës sesa vetë kosovarët dhe ardhmërinë e tyre”, është shprehur Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se në kufi janë duke pritur kamionë të ndryshëm me mallra, mirëpo thotë se revolta politike është e arsyeshme falë ndodhive në veri, por sipas Gërxhaliut, duhet të mendohet mirë se çfarë ka në ata kamionë. “Tregtia dhe bashkëpunimi ekonomik duhet t’i eliminojnë muret dhe të krijojnë ardhmëri. Në këtë drejtim kam drojë se po forcohet informaliteti, kam drojë se mallrat po gjejnë mundësi alternative dhe në anën tjetër po rritet informaliteti dhe tërë këtë eksperiment po e paguan qytetari i Kosovës”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ai thotë se është koha kur duhet të ketë qetësim të emocioneve dhe të kemi kujdes si të veprojmë.

“Në këtë situatë kur ne mbyllim kufijtë, shtetet e ndryshme forcojnë partneritet me aleatë strategjikë. Vet fakti që po themelohet Këshilli Kombëtar Ekonomik mes Serbisë dhe ShBA-së, dëshmon më së miri agresivitetin diplomatik të Serbisë, jo vetëm atë ekonomik por edhe në fusha të tjera. Nuk i bëhet nder Kosovë në qoftë se të gjithë mbështetësit e lirisë dhe pavarësisë që i ka pasur Kosova – sot të jenë aleatë dhe mbështetës të prosperitetit ekonomik të zhvillimit të Serbisë”, ka deklaruar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka…