Gërxhaliu: Të ndalen agjenturat e lobeve për Termocentralin “Kosova e Re”

07 janar 2020 | 15:03

Njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, i cili është dhe sekretar i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste, ka thënë se është i nevojshëm krijimi i Qeverisë së Kosovës dhe kompletimi i kabinetit qeveritar që, sipas tij, duhet të jetë me individë të përgatitur profesionalisht, me përvojë dhe me vlera të larta që do ta përmirësojnë  imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Në këtë bisedë për gazetën “Epoka e re”, Gërxhaliu ka thënë se qeverisja e ardhshme duhet ta ketë në fokus promovimin e dialogut qoftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me vendet e Bashkimit Evropian. “Është e rëndësishme që të arrihet marrëveshja në mes të dy parterëve dhe ta kemi kompletimin e kabinetit qeveritar. Çdo ditë e humbur është në dëm për ardhmërinë e Kosovës. Suksesi më i madh është në qoftë se arrihet t’i ndalim problemet nga e kaluara. Qeverisja e ardhshme duhet ta ketë në fokus promovimin e raporteve qoftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me vendet e Bashkimit Evropian për ta vendosur veten në binarë të ardhmërisë, që duhet të jenë të fokusuar në zhvillim ekonomik dhe në përshpejtim të proceseve integruese në partneritet strategjik”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka thënë se duhet të analizohet me kujdes edhe taksa e vënë ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. “Taksa duhet të analizohet mirë. Duhet të kemi vendime të analizuara. Dua të besoj se kabineti i ardhshëm qeverisës do të ketë ekspertë profesionalë, mirëpo nuk duhet të jetë temë vetëm taksa, pasi Kosova ka probleme edhe më të mëdha. Prandaj bëj thirrje për një dialog të mirëfilltë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Gërxhaliu, ka apeluar te shoqëria civile dhe lobet e ndryshme në Kosovë, të cilët janë kundër ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, që t’i ndalojnë agjenturat e tyre dhe mos të veprojnë në dëm të Kosovës. Sipas tij, është më se e dëmshme që Kosova të varet nga importi i energjisë kur kihet parasysh dhe importi i lartë në tërësi në nivel vendi. “Ju e dini se në Kosovë dhe rajon ka lobistë shumë të fuqishëm për energji elektrike. Këta lobistë, qoftë nga Kosova, Serbia, Bosnja apo Mali i Zi, kanë raporte të mira me qarqet politike në Kosovë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja janë duke ndërtuar kapacitete të reja të energjisë elektrike. Besoj se Kosovës nuk i bëhet nder që të jetë importuese edhe e energjisë elektrike kur dihet se çfarë niveli të lartë të importit kemi. Prandaj, ajo çfarë duhet të kërkohet nga shoqëria civile është të bazohet në transparencë dhe analizë të mirëfilltë dhe të ketë garanci për teknologji të sofistikuar, për teknologji dhe mbrojte të ambientit dhe ambientalizmit. Në këtë drejtim duhet të gjenden modalitete që projekti të vazhdohet. Në Kosovë kemi organizata të ndryshme joqeveritare që financohen nga qarqe të caktuara dhe më shumë të mëdha, për të vetmin qëllim që Kosova të jetë e varur nga importi”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka thënë se në fokus të qeverisjes së ardhshme duhet të jetë dhe rimëkëmbja e “Trepçës”. “Nuk mjafton vetëm një ligj apo dokument për këtë ndërmarrje. Vetë fakti që ‘Trepça’ është barrë e qeverisë, është mjerim i madh. Duhet vërtet të punohet dhe të mendohet më e mira për të”, u shpreh ai.

Sipas njohësit të zhvillimeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu,  në mënyrë që të bie niveli i importit, të rriten investimet e huaja dhe të përmirësohet imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare, Kosova më në fund duhet të ketë dhe atashe ekonomikë. Ai ka shtuar se këta atashe ekonomikë nuk duhet të emërohen në baza partiake, por në bazë të vlerave. “Me të vërtetë është koha kur duhet të mendohet për zhvillimin ekonomik. Andaj, dua të besoj se qeverisja e ardhshme do të vetëdijesohet nga gabimet e së kaluarës, pas emërimeve të njerëzve nëpër ambasada dhe konsujve të pakualifikuar dhe pa përvojë profesionale. Prandaj, qeverisja e ardhshme duhet t’i ketë në fokus atashetë ekonomikë, duke i marrë për bazë vlerat të cilat ata i kanë. Nëse dëshirojmë të kemi investime të huaja direkte, qoftë nga Evropa apo vendet e tjera të botës, si dhe rritje të ekspertëve nga Kosova, atëherë duhet të kemi dhe atashe ekonomikë”, ka deklaruar Gërxhaliu.

 

/Epoka e re/ Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka shkuar në 40 numri i viktimave nga rrëmuja e…