Gërxhaliu: U krijua një bjeshkë me gurë dhe mbeturina minierash mbi kufomat e shqiptarëve në Serbi

18 nëntor 2020 | 12:30

Arsim Gërxhaliu, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë se terreni ku janë zbuluar mbetjet mortore të viktimave të luftës është shumë i vështirë.

Që tri ditë është zbuluar varreza masive në Kizhevak të Rashkës, që ndodhet në mes të Rudnicës dhe Kopaonikut, afër një miniere dhe në një terren malor. Mbi kufomat e shqiptarëve janë hedhur gurë dhe mbeturinat e minierës që kanë krijuar gati një bjeshkë, gjë që ka vështirësuar në masë të madhe gërmimin për të gjetur kockat, njofton Klan Kosova.

Gërxhaliu ka thënë se pas zbulimit të varrezës tanimë janë në pritje të gjykatësit, që sipas ligjit në Serbi, ai e merr vendimin se kur do të nisin punimet.

“Me gjasë mund të ndodhë sot dhe të presim vendimet e tij nëse do ta vazhdojë puna ose jo. Si institucion jemi të gatshëm që të vazhdojmë menjëherë derisa na lejojnë kushtet atmosferike. Ne do ta kontrollojmë terrenin derisa jemi të bindur që s’ka pjesë kockore dhe pas kësaj mund të japim numrin e saktë për numrin e individëve që i kemi gjetur”.

“Shumica e këtyre rasteve ndërlidhen rreth zonës së Rudnicës dhe Rashkës. Faktikisht ju takojnë grupacioneve të njerëzve që kanë qenë në Batajnicë dhe nuk është Zhavaku e vetmja pikë ku po bëhen kërkimet. Deri në zbulimin e varrezës masive është dashur të pritet pesë vjet vetëm”, ka thënë ai.

Gërxhaliu në “Klan Kosova” ka thënë se bashkëpunimi me institucionet serbe që merren me këtë çështje është i mirë derisa për zbulimin e saktë të vendndodhjes është marrë nga pamjet satelitore të Kryqit të Kuq.

“Autoritetet serbe janë përgatitur për ta sjellë tendën dhe të bartin rrymën elektrike sepse është një pjesë malore e thellë. Pastaj, do të merren mostrat dhe të dërgohen në komisionin ndërkombëtar për persona të pagjetur”.

“Sfida jonë e parë është që t’i gjejmë varrezat masive dhe tani pas pesë vjetësh është një gëzim i suksesit të punës. Pastaj, sfidë është edhe në çfarë gjendje do të jenë, sa persona do t’i gjejmë dhe identifikimi i tyre. Më emocionalja është kur duhet t’ia dorëzojmë familjarëve, të cilëve iu rihapin plagët. Megjithatë, është një “gëzim” edhe për familjarët se do të mund të kenë një varr të të afërmve të tyre”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka thënë se procesi do të jetë i gjatë për shkak të terrenit dhe procedurës së punës që do të bëhet me dorë tash e tutje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pranë Dhomave e Specializuara në Hagë ka filluar konferenca statusore…