Giresse: Jam i nderuar që do ta drejtoj Kosovën
Strategu francez Alain Giresse është paraqitur trajner i Kosovës të mërkurën nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Ai ka shprehur nderim që do të jetë në krye të “dardanëve” derisa ka nënshkruar kontratë deri në nëntor të vitit 2023. “Me kënaqësi kam pranuar të jem këtu pasi kam njohuri për Kosovën. Unë jam pajtuar me kërkesat e kryetarit të FFK-së, pasi kam punuar më përpara me ekipe kombëtare dhe e di që çdo vend pret shumë prej ekipit të tij”, ka thënë Giresse.
Alain Giresse është përzgjedhësi i ri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Strategu francez të mërkurën është paraqitur nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si pasardhës i Bernard Challandesit në krye të përfaqësueses “dardane”.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, në prezantimin e Giresse ka thënë se është i lumtur me emërimin e tij përzgjedhës dhe se synime të Kosovës janë rezultatet pozitive. “Kam nderin që sot ta prezantoj trajnerin e ri, të mirënjohurin Alain Giresse. Besoj që emri i tij mjafton për të treguar se kush është. Jam shumë i lumtur që gjendet në mesin tonë dhe ka pranuar të jetë në krye të Përfaqësueses së Kosovës. Me të do t’i futemi sfidës për të pasur sa më shumë rezultate të mira. I kemi garantuar dhe i kemi dhënë përkrahjen e plotë për ta vazhduar punën dhe për të pasur rezultate të pritura. Besoj se me të do ta arrijmë synimin që e kemi pasur deri më tani. Unë i uroj trajnerit Giress mirëseardhje te Kosova dhe suksese të mëdha”, ka thënë Ademi.
Ndërsa Alain Giresse ka shprehur nderim që i është besuar detyra e përzgjedhësit të Kosovës. Ai foli edhe për ish-kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri, me të cilin ka thënë se kishte raporte shumë të mira. “Jam i lumtur e shumë i nderuar që sot po zyrtarizohet detyra ime përzgjedhës i Kosovës. Unë jetoj në Toulouse dhe atje kam miq kosovarë. Para disa vjetëve isha mysafir në Kosovë. Ky kryetari aktual nuk ishte në atë post, por i ndjeri Fadil Vokrri, për të cilin dua ta bëj një homazh këtu për shkak se kam pasur lidhje shumë të forta me të. Në Francë, kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, kam mbetur shumë i prekur. Për të vazhduar lidhjen time me Kosovën, kur isha në krye të Senegalit, kemi luajtur një miqësore me Kosovën në Gjenevë. Në atë kohë Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe në Senegal më kanë pyetur se kundër kujt do të luajmë dhe u kam treguar se bëhet për një vend që e njoh shumë mirë. Kjo është lidhja ime dhe për këtë arsye me kënaqësi kam pranuar të jem këtu pasi kam njohuri për Kosovën. Unë jam pajtuar me kërkesat e kryetarit të FFK-së, pasi kam punuar më përpara me ekipe kombëtare dhe e di që çdo vend pret shumë prej ekipit të tij”, ka thënë Giresse.
Strategu francez, që dikur e kishte drejtuar skuadrën e PSG-së, bëri me dije se mezi pret të fillojë punën me “dardanët”. Giresse ka thënë se e njeh ekipin kombëtar të Kosovës dhe se pret me padurim ta fillojë punën në fushën e gjelbër. Ai konfirmoi se i pëlqen shumë se lojtarët e Kosovës janë shumë teknikë dhe u pëlqen ta mbajnë topin. “Kosova luan si ekip bashkë. Ne duhet të ndërtojmë një ekip me potencialin ekzistues të lojtarëve. Puna është bërë paraprakisht dhe unë jam këtu vetëm për ta vazhduar punën, të përparojmë dhe të bëjmë më të mirën. Lojtarët janë shumë teknikë, kanë dëshirë ta mbajnë topin, gjë që më pëlqen shumë. Mua më pëlqen stili i lojës së lojtarëve të Kosovës. Sa i përket ekipit, është me rëndësi ta gjejmë bilancin e duhur dhe mentalitetin, që është i nevojshëm për të treguar lojë të mirë”, ka shtuar ai. Giresse nis punën në miqësoret e muajit mars, ku Kosova do të luajë kundër Burkina Fasos më 24 mars dhe Zvicrës më 29 mars.
/Epoka e re/



