Gjashtë sulmet mbi nacionalizmin shqiptar

25 nëntor 2019 | 12:06

Blerim Latifi

Së paku gjashtë sulme i janë bërë nacionalizmit shqiptar, në dy dekadat e fundit.

  1. Nga publicistët “kosmopolitë” të Sorosit, të cilët i janë sulur miteve e doktrinave të nacionalizmit shqiptar, në emër të utopisë së shoqërisë së hapur globale, të cilën e financon miliarderi George Soros. Këta publicistë, në vazhdimësi, i kanë zhvilluar tezat se mitet nacionale mbi Skënderbeun, Rilindjen Kombëtare, Identitetin Kombëtar Shqiptar, janë pengesa për europianizimin dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare, duke harruar faktin se ideali evropian i shqiptarëve është brenda vetë mitit nacional të Skënderbeut dhe vizionit të Rilindjes Kombëtare.
  2. Nga salafistët e indoktrinuar në shkollat vahabiste të Arabisë Saudite, të cilët i janë sulur nacionalizmit shqiptar, duke e quajtuar atë trajtë të adhurimit dhe besnikërisë, që bie në kundërshtim me adhurimin absolutist të Allahut dhe besnikërinë ekskluzive ndaj tij. Kanë qenë të shumtë imamët e kësaj rryme të cilët hapur kanë bërë thirrje që monumentet e nacionalizmit shqiptar, siç është Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, të mos vizitohen e nderohen, sepse një gjë e tillë e shkelë parimin islam të adhurimit.
  3. Nga mercenarët neo-otomanë të Erdoganit, të cilët i kanë vënë vetes si detyrë, së pari, të njollosin dhe zhvlerësojnë secilën figurë e lëvizje shqiptare që i është kundërvënë Perandorisë Osmane, dhe, së dyti, të ushqejnë përpjekjet për një rishkrim të historisë shqiptare, sipas kërkesave dhe pikëpamjeve të historiografisë zyrtare turke.
  4. Nga snobët multikulturalistë, të cilët kanë përbrendësuar diskursin fyes të elitave politike europiane për “nacionalizmat barbarë ballkanikë”, duke harruar faktin themelor se nacionalizmi shqiptar nuk ka qenë pjesë e barbarive etnike në Ballkan, për shkak të karakterit të tij defansiv.
  5. Nga politikanët e korruptuar shqiptarë, andej dhe këndej kufirit, të cilët me qeverisjet e tyre të këqija kanë ndikuar që shqiptarë të ndihen keq në atdheun e tyre, e ta përjetojnë identitetin e tyre kombëtar, jo si favor, por si pengesë në realizimin e ëndrrave të tyre për jetë më të mirë.
  6. Nga kosovaristët naivë, të cilët besojnë se dispozitat juridike të Pakos së Ahtisarit janë ekuivalente me krijimin e një kombi kosovar, i ndryshëm nga kombi shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prezantimin e paketës speciale AntiKÇK tek “ArTurbina”, kryeministri Edi…