Gjashtë të arrestuar për mashtrim, dhënie të ryshfetit e keqpërdorim të pozitës

13 shkurt 16:26

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), në tri lokacione të ndryshme, në tri raste të ndara, ka arrestuar gjashtë të dyshuar, nën dyshim për përfshirje në veprimtari penale.

Sipas njoftimit për media, në rastin e parë pas hetimeve paraprake, pas grumbullimit të provave të nevojshme, pas pranimit të Urdhër Kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore-Ferizaj, sot Policia ka realizuar planin operativ “Kontrabanda” ku janë kontrolluar katër lokacione.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar sasi e madhe e barnave, kartëmonedha euro, armë, substancë e dyshuar narkotike, katër vetura dhe dëshmi tjera. Nën dyshim për përfshirje në veprat penale: ‘’Kontrabanda me mallra’ dhe ‘Dhënia e ryshfetit’, janë arrestuar katër të dyshuar: A.L., viti i lindjes 1974, mashkull kosovar; A.L., viti i lindjes 1983, mashkull kosovar; L.B., viti i lindjes 1976, mashkull kosovar dhe F.S., viti i lindjes 1980, mashkull kosovar”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë në rastin e dytë sot, pas hetimeve paraprake, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Ushtrim i ndikimit’, hetuesit policorë kanë arrestuar të dyshuarin: R.B., viti i lindjes 1982, mashkull kosovar, (Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve – Trafiku Urban në Prishtinë). I arrestuari, dyshohet se tejkalon autorizimet e tij dhe mundohet të ndikojë në vartësit e tij për pranim të një kandidateje në një konkurs punësimi”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërkaq në rastin e tretë në Drenas, hetuesit policorë nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi” kanë arrestuar të dyshuarin: Xh.H., viti i lindjes 1962.

Sipas njoftimit, i dyshuari gjatë gjashtë muajve (korrik-dhjetor 2019), derisa ishte nënkontraktor për pastrimin e veturave të policisë, ka arritur të falsifikojë shkresat rreth numrit të veturave të pastruara (shtim të numrit) duke shkaktuar një dëm në vlerë rreth 1,000.00 (një mijë) €.

Me aktvendim të prokurorëve kompetentë, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kënga burimore shqiptare, kudo në krahinat ende të shkapërderdhura të…