Gjatë mandatit të Kurtit për herë të dytë shtrenjtohet rryma

23 mars 2023 | 21:47

“Përgjatë mandatit të Kurtit, sot, për herë të dytë, është shtrenjtuar rryma për 14%”, ka shkruar në “Facebook” kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai ka theksuar se paradoksalisht, qeveria është treguar edhe pamjaftueshme edhe e tepërt për qytetarët e saj.

“E pamjaftueshme sepse sillte njëtrajtshmëri pa shtresëzime duke i lënë më të varfërit në mëshirën e inflacionit. E tepërt sepse na detyroi të paguanim dyfish, nga xhepi ynë e buxheti i Kosovës, faturat e rrymës për të ruajtur profitin e një kompanie private”, ka shkruar Molliqaj.

Ai ka thënë se politikat e qeverisë Kurti janë pasuar me qortime për qytetarë e përkëdhelje për oligarkë. “Sot, ky avaz u vërtetua prapë”, ka thënë Molliqaj.

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) njoftoi të enjten se tarifat e energjisë elektrike do të rriten për 14 për qind dhe se ato do të aplikohen nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit.

“Saktësisht se sa do të jetë rritja e tarifave të energjisë elektrike do të kuptohet në mbledhjen e radhës të Bordit të ZRRE-së, që do të mbahet brenda muajit mars”, tha kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Zejnullahu, pas mbledhjes që u mbajt të enjten.

ZRRE-ja ka paralajmëruar qysh më herët se është duke shqyrtuar një kërkesë të Kompanisë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, për shtrenjtimin e rrymës.

KEDS-i e ka justifikuar kërkesën e tij me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banorët e Zhegrës së Gjilanit, për disa dekada kur u…