Gjenerali Clark në Kosovë: Njëherë zhvillimi ekonomik pastaj themelimi i ushtrisë

15 maj 2018 | 17:22

Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë, Wesley K. Clark, ka thënë se zhvillimi ekonomik është mese i rëndësishëm për të dëshmuar tek të tjerët se Kosova është shtet demokratik.

Ai ka thënë se pret që Kosova e Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet vete në mënyrë që të hapën dyert për të qenë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian (BE).

“Unë jam ai që kam parë se si i kemi larguar forcat serbe nga këtu. Tani Kosova automatikisht është shtet i pavarur dhe sovran. Jam kureshtar për të ardhmen e Kosovës. Do doja të shihja që Kosova të ishte pjesë e Bashkimit Evropian. Por, po ashtu do doja të shihja se si Kosova u jep mundësi për tu punësuar të rinjve në vendin e tyre”, ka thënë Clark gjatë fjalimit të tij si mysafir special i darkës fondmbledhëse gala të quajtur “Përkrah Rrëfimin e Ardhshëm të Suksesit”, organizuar nga RTI.

Më tutje, ai ka folur edhe për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Clark ka thënë se po të ishte në Kosovë më shumë do të angazhohej për zhvillimin ekonomik se sa për themelimin e ushtrisë.

“Ne kemi ende KFOR-in këtu që përcjell sigurinë në Kosovë. Besoj që rregulli kryesor për të themeluar një ushtri është të kesh aq shumë njerëz (ushtarë) sa është e nevojshme për të mbajtur sigurinë e vendit. Po të isha në Kosovë do angazhohesha më shumë në zhvillim ekonomik, jo në themelim të ushtrisë. Mënyra më e mirë për të dëshmuar se jeni Kosovë demokratike janë mundësitë dhe zhvillimi ekonomik. Jepuni të rinjve mundësi punësimi”, ka thënë gjenerali Clark.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportuesja e Kosovës për liberalizimin e vizave në Parlamentin Evropian,…