Gjenerata e parë e kadetëve të FSK-së feston 10-vjetorin e diplomimit

23 shtator 2019 | 16:18

Gjenerata e parë e kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), tani oficerë, kanë festuar të hënën 10-vjetorin e diplomimit.

Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalimin e tij ka thënë se kjo forcë ka arritur ta zhvillojë sistemin e saj të rekrutimit.

“Forca e Sigurisë e Kosovës me sukses ka arritur të zhvillojë sistemin e rekrutimit, shkollimit dhe trajnimit të kuadrove të reja dhe se pikërisht sistemi i tillë serioz dhe i përkushtuar ka bërë që FSK-ja sot të krenohet me oficerët e rinj, si garantuese e vazhdimësisë së suksesshme të institucionit tonë. Qendra për Studime Universitare e FSK-së së shpejti do të jetë ndërkombëtare, ku do të kenë mundësi të shkollohen edhe kadetë nga shtetet mike dhe partnere”, ka thënë Rama.

Ndërsa gjenerale Irfete Spahiu i ka përgëzuar oficerët e FSK-së, të diplomuar para dhjetë vitesh si dhe të gjithë oficerët e rinj të diplomuar më pas, duke i porositur që të vazhdojnë të shërbejnë me nder, zell e përkushtim, ashtu siç edhe janë përgatitur dhe zotuar gjatë shkollimit të tyre.

Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe ish-komandanti i QSU-së, Valon Ahmeti, njëri nga oficerët e parë të diplomuar në ShBA dhe ideator i atëhershëm për ngritjen e Qendrës për shkollimin e kadetëve për shërbim, atëherë si oficerë në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, e pas vitit 2009 në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie është shfaqur edhe një dokumentar i shkurtër me disa momentet sfiduese të kadetëve, gjatë katër viteve të studimit në këtë akademi, të cilat kanë mbetur ende në kujtesë të kadetëve të kësaj gjenerate.

Në nderim të shkollës së QSU-së, kadetët kanë planifikuar të realizojnë “Javën e QSU-së” , e cila do të shënohet me ceremoni dhe aktivitete të shumta që do realizohen gjatë kësaj javë.

Hapja e kësaj jave është bërë të hënën në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është mbajtur ceremonia kryesore e këtij manifestimi, në të cilën të pranishëm ishin krerët e lartë të FSK-së si dhe mysafirë specialë, që kishin ardhur t’i nderojnë kadetët e gjeneratës së parë dhe QSU-në në përgjithësi.

Më pas, të gjithë së bashku kanë mbjellë fidanë para objektit të ri të Qendrës për Studimeve Universitare, në shenjë nderimi dhe respekti për të gjithë oficerët që kanë dalë dhe për ata që janë duke dalë nga kjo qendër.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës (PK) është…