Gjenocidi serb në Srebrenicë do të përkujtohet çdo 11 korrik
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën për gjenocidin e Srebrenicës, duke e shpallur 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Rezoluta bën thirrje edhe për dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin.
Pro rezolutës kanë votuar 84 shtete, kundër 19, ndërsa 68 kanë abstenuar. Edhe këtë herë, aleatët ë Serbisë dhe Rusisë janë reshtuar në votën kundër, por ajo që bie në sy është vota kundër e Hungarisë.
Në Srebrenicë, pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës, forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.