Gjeografia e lirisë

05 janar 15:29

Isuf Sherifi

“Bota më së miri mund të kuptohet si një burg – jo në kuptimin metaforik të saj, por në kuptimin e vërtetë të fjalës“ John Berger

* * *
Kur u pyeta nga Josef Felix Müller, botues dhe drejtues i Shtëpisë Botuese “VEXER“ (St. Gallen-Berlin), nëse do të mund të shkruaja diçka mbi temën «Gjeografia e lirisë», dhe po lexoja materialet shtesë të E-mailit, sikur një pamje me vezullima dritash në kohë shtërngatash që “verbojnë“ sytë, në kokën time m`u vizatua enigma e gjetjes së çelësit për të hapur portën e duhur, nga ku mund të më vinin fjalët për të shkruar mbi lëndën që prodhon kjo temë. Liria, botë kjo me plot labirinthe, ku tek secili labirinth ka nga një portë të hekurt që duhet thyerr për të vazhduar tutje, ngase për të nuk ka kode hapëse, edhe pse këto thyerrje portash gjithmonë kanë konfrontuar ide dhe njerëz dhe kanë marrë edhe jetë njerëzish, e cila si e tillë – e shenjtë, nuk riprodhohet asnjëherë..
Bota e lirë, si paradigmë në vete, shpërfaq edhe fytyrën e botës së robëruar. Metaforikisht, të dyja këto botëra dallojnë në shpërfaqjen e dritës, element i domosdoshëm për fotozintezën shpirtërore të njeriut, e cila e bën të ripërtërihet qenia njerëzore.
Kjo temë e shtruar si e tillë, si “Gjeografi e lirisë“, të jep mundësinë të hapësh letrat, të marrësh lapsin dhe të shkruash pakufi, mbi lirinë, mbi gjeografinë e saj, si diçka që kufizohet brenda një rrethi apo katrori, dhe kjo është intriga që pranohet si sfidë të vërtetë, jo vetëm për të prekur zjarrin me dorë,por edhe për të depërtur nëpër flakë.Kësaj sfide po i hy me dëshirën për të thënë së pakut diçka ende të pa thënë, apo për të thënë diçka ndryshe, mbi lirinë dhe shtrirjen e saj.

* * *

Liria

I ngjanë të përkryerës
që nuk përfytyrohet dot
as pas njëmijë vitesh.

I ngjanë të përkryerës
që na don të përsosur
në rrjedhën e jetës.

Do të mund të jemi të tillë vallë
pas njëmijë vjetësh!?

E solla në vazhdim të këtij teksti vjershën timen për lirinë, të shkruar para shumë e shumë vitesh, për ta përdorur si derë hyrëse në temën mjaft intriguese, që ndër shkekuj ka qenë aksi më i frekuentuar në ecjen e njerëzimit drejt zhvillimit deri në ditët e sotme. Ç`na qenka kjo diçka kaq e vlefshme, që as edhe “pas mijëra vitesh, vështirë ta paramendojmë të përkryer e lëre më si të tillë?“

* * *
Nuk është e lehtë të shkruash për diçka që, që në fillim të jep ndjesinë e të qenurit i përkufizuar, në shtrirjen e temës, gjithandej kah mund të të shpie mendja. Liria si fjalë e thjeshtë të jep mundësinë ta trajtosh i pa prekur nga emocionet; ndërsa liria si nocion i gjerë, të zhytë mendimeve që nuk kanë kufij, dhe që fundi është i paimagjinueshëm, e lëre më të mund të jetë i eksploruar i tëri.
Si definohet liria me pak fjalë nëse atë e marrim nga përcaktimet që i janë bërë në librat shkollorë? Nëse i referohemi Fjalorit të Gjuhës së sotme Shqipe, aty kemi këtë shpjegim: “Të qenët i lirë në jetë e në punë; mungesa e shtypjes, e varësisë dhe e kufizimeve që pengojnë, vështirësojnë e ndrydhin veprimtarinë politike e shoqërore të një klase a shtrese të caktuar, të shoqërisë në tërësi ose të anëtarëve të saj, etj.“
Mirëpo, a është kjo e tëra, dhe, a është në të vërtetë kështu? Nëse i referohemi thënies së John Bergerit se „bota më së miri mund të kuptohet si një burg – jo në kuptimin metaforik të saj, por në kuptimin e vërtetë të fjalës»,atëherë shpjegimi për lirinë merr deimensione më komplekse se sa mund të jetë në të vërtetë. Liria del të jetë një fatamorganë e trishtë, e që megjithatë vazhdohet t`i besohet, dhe jo vetëm t`i besohet, por edhe të përjetohet. Shkrimi në vazhdim, për bazë dhe pikë kryesore referimi ka pikërisht sintagmën e John Begerit mbi botën.

* * *
Por të shohim më thellë shpjegimin e nocionit liri, jo për të thënë diçka të re, por për të qëndruar në thelb të temës së shtruar. Kur dhe si gjatë zhvillimit të njerëzimit u shfaq si temë dhe si përkufizim i një standardi të arritur jetësor? Edhe pse John Berger në eseun e tij “FELLOW PRISONERS“ e tejkalon drejtpërdrejtshmërinë e shpjegimit të lirisë, dhe merret me të kundërtën e saj, me robërinë, me burgun.
Pothuajse të gjithë filozofët dhe trajtuesit e kësaj teme janë unik në definimin e lashtësisë së këtij nocioni se “fjala liri është e lashtë poaq sa ështëvetë njërëzimi“. Që nga lindja e lirisë si nevojë dhe domsodo, ajo u zhvillua, u zjgerua dhe u trajtua shumëherë; u përpunua dhe u avancua. Një e vërtetë megjithatë mbeti konstante: liria sado e përkryer të jetë, nuk përmbush dëshirat dhe nevojat njerëzore të tërat, sepse në botën që John Berger e përshkruan si një burg të madh, mungon mirëkuptimi për dhe ndaj njëri tjetrit, e që për këtë AlbertKamy do të thoshte: “Nuk ka liri pa mirkëkuptim të ndërsjellë”, pra mungon elementi primari të dëgjuarit të nevojave të tjetrit dhe i respektimit të tjetrit ashtu siç është, dhe pa prekur dhe cenuar liritë e ndërsjella, sepse “liria e njërit përfundon aty, ku fillon liria e tjetrit” (Immanuel Kant)

* **
Povazhdoj përkohësisht me disa gjëra, që mendoj, që njeriu për veten e tij nuk ka mundësi t`i influencoj dhe që në ngjizje determinojnë disa kufizimie të lirisë së tij individuale, edhe pse jo të përgjithmonshme.
Kur një njeri lindet, ai nuk pyetet për këtë. Dhe secili nga ne që jemi lindur nuk jemi pyetur as për emrat që bartim, as për përkatësitë fetare dhe racore, kombëtare, shtetërore, etj. Të gjitha këto, ose shumica e këtyre na janë dhënë. Nuk është se shumcia prej nesh nuk pajtohemi me atë që jemi, por mundësia e të qenurit që në fillim, ai që do të kishe patur dëshirë të jeshë është e barabartë me zero. Është diçka e parashkruar nga të tjerët, e bërë në kohë dhe hapësirë ku shtytja në jetë përcaktohet nga rregulla, tradita, zakone, ligje të ndryshme fetare dhe politike, etj.
Gjuha që flasim dhe edukimi që kemi, janë dhe nuk janë ajo që kemi dashtur t`i kemi. Na janë dhënë në kohën e pafuqisë sonë. Kjo nuk do të thotë që unë nuk jam i kënaqur dhe nuk jam i pajtimit me këtë gjuhë që flas si gjuhë amtare timen, dhe me këtë edukim që kam, si një bimë sociale të ushqyer në rradhë të parë nga prindërit e mi, pastaj nga rrethi i ngushtë familjar, e duke u influencuar tutje nga ndikimet sociopsikologjike të shoqërisë në përgjithësi.
Dhe, jo vetëm kaq. Këtu vijnë edhe të tjerë, gardianë të gjuhës dhe edukimit tonë shoqëror dhe politik.E, ata janë autoritetet shtetërore që me ligje dhe rregulla të shkruara në mënyrë demokratike apo arbitrare, “parapërckatojnë“ edhe edukimin tonë.
Të qenurit ata që jemi me të drejta të kufizuara, varet shumçka edhe nga personaliteti që e bartim në vete dhe e zhvillojmë më tutje, nëse do të marrim guxim dhe kurajo të lëvizim standarde që bien ndesh me dëshira dhe vullnetin tonë. Ajo që jemi, jemi jo rrallëherë pa dëshirën tonë, sepse ndodh që rregullat e shoqërise – shtetit në të cilën jemi rritur, ose kanë prekur thellë në zhvillim normal dhe direkt kanë ndikuar që personaliteti i njeriut të ketë atë apo këtë “fytyrë“.
Natyrshëm lind pyetja se a nuk korrespodojnë këto gjëra me “botën si një burg i madh“ ose, hiq “botën“ dhe vendos “lirinë“ si fjalë: lind paralelja “liria sikur një burg i madh“.
I solla këto shpjegime për të vazhduar mëtutje me “Gjeografinë e lirsë“ që të mund të them më shumë se ç`thash deri më tani. Ne lindim dhe rritemi në një familje, vend e shoqëri pa patur mundësinë të zgjedhim, pa patur mundësi të kundërshtojmë, pa patur mundësi të kemi hise në nisjen tonë drejt udhëtimit tonë jetësor – të shkurtër ose të gjatë. Kur rritemi, dhe kemi aritur moshën madhore, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, varësisht nga vendi apo shteti ku jetojmë, tanimë shumçka tingëllon e kornizuar; je një element i sjellur në botën e madhe ku rregulla dhe ligje të parashkruara ta determinojnë jetën.

* * *
Unë nuk do të futem udhës së madhe të shpjegimit të vijave ndarëse dhe bashkuese të shtrirjes së lirisë. Shtrirja e saj shikuar në aspektin teknik i ngjanë vijave të lapsit të bëra në fletë vizatimi. Shikuar më thellë në brendinë e kuptimit të vërtetë të saj, ajo merr pamjen e të burgosurit të torturuar deri në alivanosje, por që megjithatë gjen forcë të ngritet në këmbë dhe të provoj të ec sërish tutje, edhe pse sigurtë e din që tutje ecet me vështirësi të reja.
Mjafton ndoshta të kapem për vitet dhe dekadat e fundit për të udhëtuar më me siguri drejt shpjegimit më meritor të lirisë. Të gjithë e dinë dhe kanë lexuar për Nelson Mandelën, simbolin e lirisë jugafrikane, udhëheqësin shpirtëror të luftës kundër Apartheidit. Logjikshëm emri i tij për dekada me rradhë do të përshkonte tërë globin! Dhe kjo ishte dhe duhet të mbetet kështu përgjithmonë, si një pasyqrë ku mund ta shikojnë veten gjeneratat e reja, se në ç`profile jetësore gravituan e mira dhe e keqja në një epokë plot beteja, në një pjesë të botës ku dhuna ndaj njerëzve të racës tjetër vizatohej bardh e zi, ku liria interpretohej bardh e zi.Shumëkush mund të pyes se ç`hynë në punë John Berger këtu dhe paralelizma me Mandelën.? Më saktë: thënia e tij mbi botën që «më së miri mund të kuptohet si një burg – jo në kuptimin metaforik të saj, por në kuptimin e vërtetë të fjalës». Po, sigurishtse hyn, sepse edhe këtu paralelja mes lirisë dhe burgut është e prekshme. Nëse jugafrikanët i shohim si të burgosur të saj kohe, atëherë vetvetiu dihet se kush mund të kenë qenë gardianët dhe autoritetet që kontrollonin lirinë e atyre të burgosurve.

* * *
A mund të tërheqim paralele, dhe thënien e John Bergerit për botën sikur një burg i madh, ta zhvendosim më ndryshe dhe ta shohim lirinë sikur një mashtrim i madh, sikur një burg i madh?
A kemi të bëjmë me role të njejta? A ka kontrollues të atyre që bëhen sikur jetojnë të lirë, dhe atyre që determiojnë dhe përkufizojnë lirinë e të tjerëve? Unë mendoj që po. Ngjashmëritë janë të mëdha.
Parelel me këtë që shkrova më lartë, pasi që ekisha lexuar tekstin e John Bergerit “FELLOW PRISONERS“, vazhdimisht po thirrja kujtesën dhe lodhja mendjen të kapja edhe ndonjë metaforë a motiv për të trajtuar këtë temë më për së afërmi dhe më drejtpërdrejt. Si motiv i parë që m`u shfaq ishte Adem Demaçi, ish i burgosuri politik shqiptar i Kosovës, me stazhin më të gjatë të vuajtjes nëpër burgjet e ish – Jugosllavisë, (plot 28 vite), i cili me të dalë nga burgu, në njërën nga intervistat e tij të para që do ta jepte për shtypin e kohës, do të thoshte: “Kam dalur nga një burg i vogël, por kam ardhur në një burg më të madh.“
Ai edhe pse erdhi në shtëpi, lirinë nuk e shihte si diçka personale, me ndryshim të relacionit burg – shtëpi, nuk e perkufizonte vetëm me ndryshim të sistemeve politike shtetërore që ndodhnin në atë kohë. Ai shembjen e një diktature e një sundimi, e shihte me zëvendësimin e një sundimi të ri. E e shihte si diçka që robëria kishte ndëruar formë, dhe po trajtohej nga autoritete dhe gardianë me metoda të tjera të reja.
Si motiv i dytë, më janë refugjatët, që pos të burgosur, janë edhe të përndjekur. Të burgosur në pafuqinë e tyre për të shkruar fatin e jetës së tyre së pakut në përmasat e një jete mestarisht normale dhe pa gjakderdhje, dhe të përndjekur nga lektisja për të gjetur lirinë e vjedhur. Të dyja këto motive, tangojnë me epizode të jetës sime, që në mos krejt si të tilla, ato kanë qenë të ngjashme për nga karakteri i përmbajtjes.

* * *
Ja çka thotë Adem Demaçi tek romani i tij: “Dashuria kuantike e Filanit” shënime këto mbi përjetimet nga burgu:
“Unë pas seancës së parë hetimore, dhomën time të burgut e përjetoja sikur zyrën time të punës, veten time si një njeri që kishte ardhur aty të kryente ca punë, gardianët i përjetoja si shërbetorët e mi, kurse udbashët si miqtë e mi…Brenda meje nuk ishte ai i mjeri, i shkreti, i gjori, ai vehtiaku që mendonte vetëm për trupin e vet. Tash, brenda meje ishte shpirti i vëllaut tim, Malilq-trimit. Tash, me shpejtësi të vetëtimës edhe njëherë m`u kujtua se unë kisha kallur, kisha djegur vetëveten. Tani m`u kujtua se unë kisha vdekur dhe se, ta merr mendja që trupi pa shpirt nuk mund të jetojë. Dhe, prandaj u bë luftë aq e rreptë midis shpirtit të qyqarit dhe shpirtit të vëllaut tim trim, Maliqit. U bë luftë fort e rreptë se secili prejt tyre do të zinte vend në trupin tim. Dhe, falë urrejtjes e mosdiejs së miqve të mi, udbashëve, në trupin tim u vendos shpirti i vëllaut tim, Maliq-trimit. Unë tash isha vetëm trupi me emrin Filan, që veproja sipas dëshirës së shpirtit të Maliq-trimit. Dhe, dëshira e tij ishte që t`i shërbeja sa më besnikërisht popullit tim të robëruar.”
E solla këtë fragment, që përmes këtij fragmenti të vëj në pah kuptimin e lirisë nga një dimension tjetër, ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta lexojmë dhe dëgjojmë. Për këtë të burgosurku trajtimi i lirisë së shpirtit që ia bën ai vetes,për ta gjetur kodin shpëtues, brenda mureve ku vdekja i ka qëndruar varrur në jakë të këmishës, ishte ndihmesë dhe orientim në jetë, sepse “pa ndihmesë orientuese njeriu rrezikon të ballafaqohet me rreziqe të vështira.,” dhe me këtë të “humbet së ecuri nërreth”.(citat i J. Berger). Ai në gjendjen më të rëndë shpirtërore të tijën, e gjenë çelësin e shpëtimit brenda burgut ku liria është fjalë e ndaluar, sepse ti je i lirë vetëm të flasësh për gjithçka që ata nuk e dinë për ty, dhe kjo gjithçka është pesha e rëndë e fajit, që ty të ngarkon negativisht dhe të fundos ndoshta përjetësisht, e për të tjerat vendosin të tjerët, nëpunësit e burgut, kujdestarët dhe gardiantët.

* * *
Secili njeri në veten e tij, ka kafazin dhe zogun njëherësh dhe derën në kafaz, ashtu siç mund ta ketë edhe dryrin në derë. Varet nga secili në don ta hapë atë derë, apo në don që ta mbajë zogun në kafaz. Në don të bëhesh gardian që mbanë të kufizuar liri të një shpirti, apo shpëtimtar i qiellit të zymtë.
Po ç`thonë ata të antikitetit, ata të mesjetës; po librat fetar për lirinë? Cila rrugë është rruga me gjeografi më të gjerë të lirisë. Shikuar nga këndvështrimi i sotëm, politika globale e të fortëve vërtet ka zgjeruar dhe rritur kafazin, ka bojatisur me ngjyra shkëlqyese kufinjtë e kafazit, por edhe apetitet për të mbajtur sa më shumë zogj brenda kafazit janë rritur. E tëra, do të thoshte J. Bergersërish, edhe në fund të ketij rrëfimi se,«më së miri mund të kuptohet si një burg – jo në kuptimin metaforik të saj, por në kuptimin e vërtetë të fjalës.» Dhe për t`u liruar bota nga ky burg, duhet ndërruar çasja për botën, për njerëzimin, për lirinë, për fenë, për politikën…, fundja edhe për zotin. Nuk mendoj që ka liri më të mirë se sa liria e të qenurit i lirë për të bërë ndryshime pa presionin e kohës. Bota edhe pas nesh do të ekzistoj. Gjithkush që u ngut pa menduar mirë për të ndryshuar botën, e ka kthyer për një kohë në karantinë. Korridoret e burgjeve dhe trotuaret e qytetit, edhe ato të japin mundësinë e ecjes i lirë, por jo edhe të bërjes jetë i lirë. Edhe ato ato kanë kufizime, janë të limituara dhe të rrethuara nga të tjerë elementë dhe faktorë pengues. As edhe korridoret e udhëve të avionëve, atje ku duket se gjithçka është e pakufishme, nuk thonë gjë pozitive kur dihet se poshtë, nga toka, vijnë sinjale komanduese se kur duhet nisur dhe kur duhet ateruar.

* * *
Shumëkush, pasi ta ketë lexuar “FELLOW PRISONERS,“ mund të pajtohet dhe mospajtohet me trajtimin që ia bën John Berger politikanëve që bëjnë politikë djathtiste dhe majtiste. John Berger e thotë pa ekuivoke që “autoritetet (e ka fjalënpër politikanët) në mënyrë sistematike e japin më të mirën, që të burgosurit t`i mbajnë me mashtrime, dhe kjo “ndodh në të gjitha pjesët tjera të burgut botëror“.
Personalisht jam ai që kam jetuar në dy sisteme shtetërore. Kam përjetur shembje të së vjetrës dhe arrdhje të së rejës, dhe vazhdoj të jetoj dhe përjetoj edhe mëtutje. Kam përjetuar të majtën dhe të djathtën politike ashtu siç kam përjetuar edhe dritën dhe terrin e një epoke. Po ç`hyn burgu në këto shtjellime? Ç`është burgu në të vërtetë? A jemi të burgosur, ashtu siç paraqeitemi tek “FELLOW PRISONERS”?
Thënë drejtëpërdrejt, ashtu siç është cituar në fillim, ai ka shumë të drejtë. Nëse e shikojmë botën në aspektin metafizik dhe njerëzit në këtë botëvetëm si qenie biologjike, nuk thotë gjë shumë; por nëse futemi në brendinë e njeriut si qenie edhe sociale, ajo na del e tillë: me barriera që ndajnë e vrasin, me kufinj ndërshtetërorë: ndasitë në gjuhë, në kulturë, në etnikum, në të pasur dhe në të varfër, në ndarjen jo proporcionale të të mirave materiale, në mundësitë e larta të dikujt për të pasur shumçka dhe në pamundësitë e tjetrit për të patur as edhe gjërat më elementare për jetë. Por edhe pjesa tjetër e jo të burgosurve, ajo e mbikqyrësve dhe gardianëve të burgut, del të jetë e burgosur.

* * *
Në njërin nga burgjet e vendit tim, pasi kisha kalur në vitin e dytë të mbajtjes së dënimit, nga një i burgosur pata dëgjuar thënien se «asgjë nuk po ta bëka burgu, sa po ta bëkan të burgosurit» ose, «se asgjë nuk qenka burgu, çka qenkan të burgosurit » e që në njëfar forme është e njëjta. Kjo që shkrova ndërlidhet me mendimin e Bergerit për botën si një burg i madh, ku edhe atje mbisundon rangimi, edhe pse brenda burgut, liria për ta shtypur tjetrin është në rend dite. Pra jo vetëm mes mbikqyrës të burgut dhe të burgosurve ekziston dallimi, por edhe mes të burgosurve. Edhe në një grupim siç janë të burgosurit kishte rangime sipas rregullave të mureve që ndajnë. Psh. në kohën kur unë isha në burg (1989-1991) dhe po vuaja dënimin e shqiptuar, ajo që lejohej për të burgosur të tjerë për delikte të tjera, për mua dhe për të burgosurit politik ishte tabu, mollë e ndaluar. Nëse në botën jashta burgut si shtëpi edukimi dhe risocializimi,përpjekjet për të ndryshuar raportet autoritet – qytetar; apo padrejtësi me drejtësi ishin më të shumta, përpjekjet brenda burgut si shtëpi edukimi dhe risocializimi ishin më të pakta dhe me influencë më të vogël. Por bindja se je brenda mureve prej betoni, dhe je i kontrolluar vazhdimisht nuk e molepste synimin për të ndryshuar këtë gjendje.
Krahasime mes burgut si shtëpi edukimi dhe risocializimi dhe botës si një burg i madh ka mjaft. Shembujt personal janë të shumtë, dhe nuk është nevoja për të dalur e kërkuar gjetiu « oborreve dhe pavioneneve të burgjeve të tjera të botës. »

* * *
Shikuar nga përshkrimi dhe këndvështrimi i botës sikur një burg… në tekstin “FELLOW PRISONERS“, më jep të drejtën të them se dënimi që e kam vuajtur në burg, mund të zbërthehet sikur ai burg paska qenë qelia e atij « burgu të madh. » Dhe ndoshta dallimi nuk është i madh, pos që ka ndryshuar « qasja dhe përkujdesja ndaj meje » si i burgosur. Derisa unë po vuaja dënimin në atë « qeli të burgut të madh të botës, » i bie që në të tjera « qeli »po vuanin dënimin edhe dy vëllezër të mi.
Po si ishte puna atëherë me anëtarët e tjerë të familjes? Ç`bënin prindërit e mi, vëllezërit dhe motrat? Si, dhe ku po jetonin ata? A po jetonin vërtet në një burg të madh? I bie se po, edhe ata ishin poashtu të burgosur ! Ata ishin të lirë, për aq sa observimi policor lejonte. Telefoni i shtëpisë kishte filluar të përgjohej që nga prilli i vitit 1988. Më vonë, sikur nuk do t`u mjaftonte kjo, nga të dy anët e rrugës patën mbirë si kërpurdha dy shitore të vogla që merreshin me shtijen e makinave aparaturave teknike. Ishin shitore që kishin për detyrë mbajtjen nën kontroll të të burgosurve të asaj shtëpie nga ku cenohej liria e shtetit. Mjetet e vendosura për përgjim tani ishin shtuar. Shtëpia jonë e vendosur në mes dy rrugëve pothuajse kryesore të qytetit, i ngjante tanimë një pavioni që vëzhgohej dhe përgjohej vazhdimisht. Pos kësaj, sikur nuk mjaftonte kjo, banorët e rrezikshëm të asaj shtëpie, duhej të paraqiteshin tek autoritet vazhdimisht, së pakut njëherë në javë, për të dëshmuar se janë këtu.
I solla këto ilustrime për të vënë në pah se John Berger kishte plotësisht të drejtë, kur botën e shikonte sikur një burg të madh. Ato dy shitore në fillim në formë barakash, që nuk linin gjë pa vështruar dhe regjistruar, a nuk ju ngjanin turmeve të burgjeve që obesrvojnë të burgosurit? Po njerëzit që përkujdeseshin për të zbatuar këto detyra të ardhura nga lartë nga autoritet e shtetit, a nuk ju ngjanë gardianëve të burgut? Po, gjithsesi se po! Dhe ne nuk kishim bë gjë tjetër, pos kishim dashur që gjërat të lëviznin drejt një kahje ku liria në kuptimin e plotë të fjalës do të duhej të ishte e njëjtë për të gjithë.

* * *
Avioni po ngjitej qiellit me shpejtësi për të marrë drejtmin e rrugës ajrore që do të na shpiente në Cyrih. Poshtë po mbeteshin prindërit, vëllezërit, motrat, farefisi; po mbetej shtëpia, lagja, qyteti; po mbeteshin kujtimet…Po mbetej jeta e shabllonizuar, e cunguar, po mbeteshin të gjitha; zhurrma e tranzicionit politik me të gjitha të mirat dhe të këqijat e saja, që më shumë u ngjanin akordeve të prishura të një instrumenti dhe zërave plot histeri të politikanëve burra. Po mbetej liria e cunguar me të gjithë akterët e saj.

Sa më lartë që ngjitesha, aq më të gjera më bëheshin mendimet e më të ngushta shpresat. Ishte dimër. Koha kur u nisa, la në mua dimrin e dyfishtë në shpirt. Tanimë i ngjitur shumë lart, nuk shihja asgjë, pos dendësisë së bardhë të mjegullave, dhe kisha ndjesinë që isha në parajsën e proklamuar në libra të shenjtë dhe po prisja vetëm të më shfaqej edhe porta e saj. Dikund, tutje reve do të ishte ajo! Por jo, ishte një mashtrim që njerëzit atje poshtë në tokë ia kanë bërë vetes shekuj me rradhë. Ata ende nuk kishin mundur deri vonë të eksploronin planetin tokë si duhet, dhe shum vonë, pas biblës e kuranit do të “shpiknin” edhe një kontinent, e lëre më të kenë patur mundësitë dhe njohuritë për të ditur saktë në ka ferr dhe parajsë njëkohësisht.

* * *
Pas meje kishte mbetur shumçka që ishte dhe nuk ishte e imja. Ndjeja se po kaloja një periudhë të rëndë shpirtërore; isha një njeri i zbrazur, nuk kisha fare ndjenjën e të qenurit pjesë e një shoqërie të re. Trupi tani ishte bosh. Kisha humbur të gjitha ato që kisha patur, dhe që më kishin mbajtur në jetë. Malli për familjen më bluante çdo ditë. « Liria » që lashë pas vetes, dhe « liria » që gjeta, kishin fytyra të ndryshme dhe në shumëçka (nuk) i ngjasonin njëra tjetrës. Në fillim asgjë nuk më interesonte. Vetëm të kalojë ajo koha e përkohshme, dhe kur sërish do të relativizohej gjendja në vendlindje unë do të kthehesha.
Kështu me këto ëndrrra në kokë, vitet kaluan njëra tjetrën. Ëndrra për kthim mbeti e njëjtë. Nga ato pak muaj të planifikuar u bënë plot nëntë vite pa shkelur këmba ime në vendlindje. Liria për të udhëtuar qe e përkufizuar nga rregulla dhe ligje që ishin bërë nga njerëz të po asaj kohe që po jetoja. Ishin autoritetet, që sikur gardianët që kontrollonin gjithçka dhe determinonin të drejtat dhe liritë e të burgosurve, po determinonin të drejtën e lirë për të lëvizur me kufizime.
Unë kisha fatin që megjithatë pas afro katër vitesh të merrja statusin e refugjatit politik. Autoritet më në fund qenëtë pajtimit që unë i plotësoja kushtet të isha pjesëtar i shoqërisë së këtij shteti, me të drejta më të plota. Edhe këtu, të drejtat për të huajt janë të kategorizuara. Edhe këtu mësova, që « liria » më e madhe është e rezervuar për banorët e vjetër të këtij vendi, për « autoktonët.» Por njëkohësisht kuptova që edhe nga këta banorë të vjetër, kishte njerëz mjaft të pakënaqur me „lirinë“ që kishin. Shumë nga këta, ashtu sikur unë, e shihnin lirinë si diçka që nuk mund të jetë e rezervuar, e kategorizuardhe e shpërndarë me gram. Liria çfarë synojmë dhe ajo çfarë në të vërtetë jetojmë,ka kontrollorët e vetë !

* * *
Dekada pas kohës kur prindërit e mi ishin detryuar të braktisin vendin e tyre, nga pamundësia për ta jetuar jetën të lirë, mu dashtë mua që ta bëj të njëjtin hap: të ik në një vend më të sigurt. Tash punoj në një shtëpi refugjatësh, dhe çdo ditë ballafaqohem me histori refugjatësh të shumtë, që po mos të kishin fat, do të ishin vetëm numra të vdekur të një lirie të vrarë. Kështu siç janë, ata kanë shpresën e të bërit jetë në një vend ku nocioni liri ka kuptim tjetër. Ata me kalimin e viteve do të japin vazhdimisht shumëçka që u ka mbetur në shpirt dhe mendje nga liria e tyre e ushqyer nga zakone, adete dhe ligje të tjera.Në rastin konkret, të qenurit refugjat mund edhe të konsiderohet vetëm ndërim aderese, nëse shikojmë kushtetutat e shkruara të shum shteteve, sepse « të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi. » (Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut. Neni 1)

* * *
Liria si temë në shtrirjen brenda tekstit «Gjeografia e lirisë,» e nisur kështu dhe e predispozuar të jetë me përkufizime që u ngjajnë korridoreve të pavioneve të burgjeve më shumë, se sa trotuareve të rrugëve të qytetit, të jep mundësinë të thuash mendimin tënd të lirë dhe pa paradigma. Fundja, kjo që thashë është mendim veç i një njeriu,të grumbulluara si skica jete, dhe, si të tilla, këto skica,paraqesin një pikëvështim të trajtuar brenda kufinjve të gjeografisë ku shtrihet (jo) liria.
Definimet mbi njerëzimin si shoqëri në zhvillim e sipër, në të kaluarën, sot, dhe në të ardhmen; shpjegimet për lirinë, botën që na rrethonetj., janë të pakufishme, ashtu siç mund ta kosniderojmë shpjegimin për universin si diçka të pafundmë.
Ne, të lidhur për kohë dhe hapësirë, lektisemi pas bërjes sonë të plotë. Kjo lektisje i përngjanë „përbirimit të njeriut nëpër birë gjilpëre, dhe vallëzimit mbi majë të sajë“.

Nëntor 2018

Shënim:
• Ky ese, së pari herë në Gjuhën Shqipe u botua në Revistën « Akademia », në numrin 4 të saj, në dhjetor 2018, në Prishtinë.
• Versioni në Gjuhën Gjermane: « Die Geografie der Freiheit », do të botohet në vitin 2019 në një libër të veçantë, me po këtë titull, bashkë me autorë të tjerë zviceranë.
• Falënderoj Silke Lirie – Blümbach për përshtatjen e shkëlqyeshme të tekstit në Gjuhën Gjermane, si dhe botuesin Josef Felix – Müller për mundësinë e dhënë, si dhe Revistën « Akademia » dhe gazetën « Epoka e Re » për botim të tekstit në gjuhën shqipe.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarët e Gjakovës kanë paralajmëruar protestë paqësore për të kundërshtuar…