Gjeometria e distancës sociale

01 mars 2022 | 08:18

Nga: Tim Adams / The Guardian

Jason Au e bëri këtë foto në atrium të një qendre tregtare, një të diele pasdite në Hong Kong, në dhjetorin e vitit 2020. Në fillim të atij muaji, me rastet e koronavirusit në rritje, ishin rifutur kufizimet që inkurajuan të gjithë banorët të qëndronin në shtëpi dhe grupet i kufizuan në vetëm dy njerëz. Secili grup duhej të ishte 1.5 metra larg nga njëri-tjetri. Hijet në dyshemenë e qendrës tregtare krijuan një rrjet natyror për këtë distancim social.

Fotografia ishte pjesë e një serie fotosh që u fut në listën e ngushtë – në mesin 156 mijë pjesëmarrësve – për çmimet e sivjetme “Sony World Photography” në kategorinë e arkitekturës dhe dizajnit.

Au është marrë seriozisht me fotografi, që nga viti 2017. Tërhiqet nga mjediset, apo siç thotë ai, ato “që mund të krijojnë një kontekst gjeometrik”: ndriçimi i qendrës tregtare nga dielli ishte gjë e përsosur për synimin e tij, ndërsa rregulloret për koronavirusin i shtuan simetritë formale. Nëpërmjet objektivit të tij, sugjeron ai, pret “të shohë njerëzit të duken të bllokuar dhe të humbur brenda një labirinti gjeometrik artificial pa e kuptuar këtë; ndoshta kjo është një pamje metaforike e urbanizimit dhe mënyrës së ethshme bashkëkohore të jetesës në qytetet moderne si Hong Kongu”.

Ky vizion, gjithmonë bardhezi, duket si përgjigje personale ndaj zhurmës dhe ngjyrës së qytetit të tij; kamera e tij kërkon momente qetësie dhe qartësie, duke gjetur mënyra për të kontrolluar kaosin. “Fotografia është formë e artit realist”, thotë ai. “Megjithatë, bardhezi e ka cilësinë për ta hequr realizmin. Shikoni drejtpërdrejt në format, gjestet dhe shpirtin e subjekteve tuaja fotografike”.

Vitet e fundit, skenat e rrugëve nga Hong Kongu kanë qenë sinonim i protestës rinore; në këtë kuptim, megjithëse Au këmbëngul për një qëllim estetik dhe jo politik, imazhet e tij të mbyllura, nga viti i gjatë i kufizimeve, kanë kuptim të dyfishtë. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë imazhe të masakrës në bazën ushtarake Okhtyrka po…