Gjermania do të sigurojë gaz nga ky shtet evropian

17 gusht 2022 | 11:44

Gjermania dhe Norvegjia do të zgjerojnë bashkëpunimin në sektorin energjetik. Por kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store nuk shikon aktualisht mundësi për të transportuar më shumë gaz drejt Gjermanisë dhe Evropës.

Norvegjia e ka rritur prodhimin e gazit pas sulmit rus në Ukrainë gati me 10 për qind, ka theksuar kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Oslo.

Aktualisht po “furnizojmë maksimalisht sa mundemi”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk e vendos qeveria, nëse prodhimi i gazit mund të zgjerohet.

“Ne nuk mund të vendosim politikisht, se tani do të furnizojmë më shumë”, ka thënë ai. Ky është vendim i sipërmarrjeve. Për një prodhim më të madh në Norvegji, duhet që të vihen në punë rezerva të tjera të gazit, thuhet. Me këtë pas Katarit bie shpresa e Gjermanisë se mund të zëvendësojë shumë shpejt gazin rus.

Ndërsa kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka falënderuar Norvegjinë që “po shfrytëzon deri në limit” rezervat e gazit.

Kjo sipas tij  është “shumë e rëndësishme, që të zvogëlojmë varësinë nga gazi rus”.

Rëndësi ka premtimi i Oslos, që të ruajë nivelin e lartë të prodhimit, sepse edhe në vitin 2023 do të ketë nevoja të mëdha për gaz. Jo vetëm ky dimër është një sfidë e madhe për Gjermaninë. Edhe në vitin e ardhshëm duhet që të mbushen depozitat e gazit. “Partneritetin tonë energjetik ne duam ta zgjerojmë dhe thellojmë”, ka thënë kancelari Scholz.

Takimi i Këshillit Ministerial të Veriut

Kancelari gjerman ka marrë pjesë në Oslo në takimin e Këshillit Ministerial të Veriut, ku krahas Scholz dhe Store kanë marrë pjesë kryeministret e Suedisë, Danimarkës, Finlandës dhe Islandës. Temat kryesore ishin furnizimi me energji dhe gjendja e sigurisë.

Si kurrë më parë Norvegjia ofron gaz për Evropën dhe Gjermaninë. Furnizimet nga Norvegjia që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë rritur ndjeshëm. Në Gjermani pjesa e gazit norvegjez përbën tani 30 për qind të furnizimit, duke e kaluar kështu Rusinë. Nga Rusia aktualisht përmes “Nord Stream 1” vijnë rreth 20 për qind të sasisë së premtuar. Kurse BE-ja importon rreth 20 për qind të gazit nga Norvegjia.

Pas sulmit rus kundër Ukrainës, Ministria e Energjetikës në Oslo, ka modifikuar licencat e nxjerrjes së gazit për fusha të gazit në mënyrë që të përftohej më shumë gaz. Por prodhimi dhe kapacitetet e gazsjellësve janë në përdorim maksimal. Për Norvegjinë tani bëhet fjalë që të shfrytëzojë burime të reja për të rritur më tej eksportet, ka thënë Store pas takimit me kancelarin gjerman. Ky vend do ta furnizojë Gjermaninë edhe më tej me gaz të lëngshëm. Vendet nordike dhe Gjermania do të bashkëpunojnë më ngushtë në të ardhmen në fushën energjetike.

Kryeministri norvegjez, Storen ka lëvduar Gjermaninë. Gjermania “i hyri sfidës së madhe të përftojë energji të rigjenerueshme”.

“Por largimi nga energjitë fosile nuk do të jetë i lehtë dhe pa turbulenca, ka thënë Storen. Scholz viziton më tej Suedinë, ku do të bisedohet për zgjerimin verior të NATO-s./DW/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Supermodelja e njohur Angela Martini di gjithmonë si ta rrëmbejë…