Gjermania mirëpret vendimin e Kurtit për taksën

29 shkurt 2020 | 15:01

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të nisur heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, është një hap i rëndësishëm që mund të çojë drejt rinisjes së dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Hap i rëndësishëm dhe kurajoz nga kryeministri Albin Kurti, vetëm disa javë pasi mori detyrën. Tani kjo duhet të çojë në një proces konstruktiv të heqjes së barrierave tregtare dhe të lëvizjes së lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe riangazhim në dialog që çon në normalizimin e plotë”, ka shkruar ambasadori gjerman, Heldt në një postim në llogarinë e vet në “Twitter”.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se nga data 15 mars, do të hiqet tarifa 100 për qind për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ai ka thënë se nëse Serbia zotohet për heqjen e barrierave jotarifore dhe ndalë fushatën për çnjohjen e Kosovës, nga 1 prilli, taksa prej 100 për qind do të hiqet prej një periudhë prej 90 ditësh.

Siç ka thënë Kurti në një konferencë për media, nëse Serbia nuk reflekton gjatë kësaj periudhe, Kosova nga data “15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, ndërkaq që do të vazhdohet edhe zbatimi i filluar më 1 prill i reciprocitetit”.

Ky vendim i kryeministrit Kurti nuk është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori amerikan në Gjermani, njëherësh i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, e ka cilësuar si “gabim” masat gjysmake të Kurtit, në raport me taksën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në qendër të qytetit të Pejës u bën homazhe për…