Gjermania përballet me mungesë të punëtorëve të kualifikuar

22 nëntor 2021 | 13:15

Mungesa e stafit po bëhet gjithnjë e më shumë problem për kompanitë gjermane, ka paralajmëruar më 22 nëntor Shoqata e Dhomave gjermane për Industri dhe Tregti (DIHK).

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, sipas DIHK-së, pritet të frenojë rritjen ekonomike. Në raportin e fundit të kësaj shoqate lidhur me tregun e punëtorëve të kualifikuar që është i bazuar në hulumtimin e rreth 23 mijë kompanive, DIHK-ja ka theksuar se mungesa e personelit aktualisht paraqet rrezikun më të madh për industrinë gjermane.

Sipas raportit të Shoqatës së Dhomave gjermane për Industri dhe Tregti, 51 për qind e firmave, të paktën, pjesërisht kanë probleme për të gjetur punëtorë. Në vjeshtë, vetëm 32 për qind e firmave raportuan se e kishin këtë problem dhe kjo përqindje i atribuohet pandemisë. Para krizës me pandeminë, 47 për qind e firmave raportuan se kishin probleme të gjenin punëtorë të kualifikuar.

Sipas të dhënave, mungesa më e madhe e punëtorëve është në industrinë e ndërtimit, në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe në inxhinierinë mekanike.

Në përgjithësi, 85 për qind e kompanive thonë se mungesa e punëtorëve të kualifikuar do të ketë ndikim negativ. Sipas raportit, 43 për qind presin që të humbasin apo do të detyrohen që të refuzojnë porositë apo të reduktojnë gamën e produkteve dhe shërbimeve të tyre, nëse nuk arrijnë që të gjejnë punëtorë. Më 2019, kjo përqindje ishte 39.

Zëvendësdrejtori i DIHK-së, Achim Dercks ka paralajmëruar se nëse problemi i mungesës së punëtorëve të kualifikuar mund të përkeqësohet në vitet e ardhshme, pasi shumë punëtorë po dalin në pension.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BB VIP - Loja e radhës në “Big Brother VIP”…