Mbyllet ‘Novaya Gazeta’, gazeta e fundit opozitare në Rusi: ‘Na kanë vrarë’
“Novaya Gazeta”, një nga gazetat më të njohura të pavarura në Rusi dhe një prej mediave të fundit që mbante qëndrim të hapur kritik ndaj Kremlinit, ka njoftuar ndërprerjen e plotë të aktivitetit. Pas vitesh presioni, censure, kërcënimesh dhe përndjekjeje ndaj gazetarëve, redaksia ka deklaruar se është detyruar të mbyllë dyert.
“Na kanë vrarë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga gazeta, ku njoftohet se më 9 nëntor do të fiken dritat e ndërtesës ku redaksia ka punuar për 30 vjet, do të mbyllen serverët dhe gazetarët do të largohen.
“Gazeta nuk ekziston më. Autoritetet dhe shërbimet sekrete ruse na kanë detyruar të ndërpresim plotësisht aktivitetin”, thuhet më tej në deklaratë.
E themeluar në vitin 1993, dy vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, “Novaya Gazeta” është shndërruar ndër vite në një nga zërat më të rëndësishëm të gazetarisë së pavarur në Rusi. Në themelimin e saj ka mbështetur edhe ish-presidenti sovjetik Mihail Gorbaçov, ndërsa ish-kryeredaktori Dmitrij Muratov është nderuar me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021.
Gazeta njihet edhe për gazetarët e saj që kanë humbur jetën gjatë viteve. Shtatë prej tyre janë vrarë gjatë periudhës së sundimit të Vladimir Putinit. Mes tyre ishte edhe gazetarja investigative Anna Politkovskaja, e cila raportonte për luftën në Çeçeni, korrupsionin dhe abuzimet e pushtetit rus. Ajo u vra me armë zjarri në hyrje të apartamentit të saj në Moskë, më 7 tetor 2006, në ditëlindjen e presidentit rus.
Presioni ndaj gazetës është shtuar ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Në mars të po atij viti, botimi i gazetës u pezullua pasi ajo kishte kritikuar luftën. Një pjesë e redaksisë u zhvendos në Riga të Letonisë, ku vazhdoi punën në internet, por edhe ky version u bllokua nga autoritetet ruse.
Pavarësisht vështirësive, pjesa më e madhe e gazetarëve kishte qëndruar në Moskë dhe ishte përpjekur të vazhdonte punën. Megjithatë, kontrollet policore, arrestimet dhe akuzat ndaj gazetarëve nuk u ndalën.
Vetëm dy javë më parë, forcat e sigurisë kontrolluan banesën e drejtorit aktual të gazetës, Sergej Sokolov, dhe e shoqëruan atë në Komitetin Hetimor të Moskës, ku u mor në pyetje për tri orë. Ai u lirua më pas pa iu dhënë ndonjë shpjegim zyrtar. Organizata “Reporterët pa Kufij” e cilësoi këtë veprim si një tjetër përpjekje për t’i frikësuar gazetarët.
Ndërkohë, një tjetër gazetar i “Novaya Gazeta”, Oleg Roldgin, ishte arrestuar në pranverën e këtij viti dhe ndodhet në arrest shtëpie, nën akuzën për përdorim dhe mbajtje të paligjshme të të dhënave personale.
Në prill të vitit të kaluar, policia kishte kontrolluar edhe ambientet e gazetës, ndërsa më 4 shtator ajo u përfshi në listën e organizatave dhe personave të shpallur “agjentë të huaj” nga autoritetet ruse. Në këtë listë janë edhe 106 gazetarë dhe bashkëpunëtorë të saj. Ky përcaktim mund të sjellë dënime deri në 10 vjet burg.
Organizata “Reporterët pa Kufij” ka reaguar ndaj presionit të vazhdueshëm, duke paralajmëruar se autoritetet ruse po synojnë të eliminojnë një nga zërat e fundit të gazetarisë së pavarur në vend.
“Fushata e Kremlinit kundër ‘Novaya Gazeta’-s synon t’i mbyllë gojën një prej zërave të fundit të gazetarisë së pavarur që vazhdon të veprojë në Rusi”, ka deklaruar në mesin e tetorit Jeanne Cavalier, përgjegjëse e organizatës për Evropën Lindore.
Me mbylljen e “Novaya Gazeta”-s, një tjetër media e pavarur largohet nga skena mediatike ruse, pas vitesh përballjeje me censurën dhe presionin e autoriteteve.



