Gjilan, ridestinohen në investime kapitale mjetet prej 1.4 milion euro të planifikuara për paga

08 shtator 2020 | 14:43

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka miratuar transferin e mjeteve financiare nga kategoria e shpenzimeve në kategorinë e investimeve kapitale, ku sqarimet e nevojshme i ka dhënë Ilmi Limoni, zyrtar i Lartë Financiar.

Ai ka thënë se këto mjete, në planifikimin fillestar, kanë qenë të ndara te kodi i rezervave, me qëllim që të derdheshin në fondin për paga, por siç dihet Gjykata Kushtetuese e ka anuluar ligjin për paga, prandaj me rishikim është lejuar që këto mjete të ridestinohen te investimet kapitale në komuna.

Limoni kërkoi nga këshilltarët komunalë që ta mbështesin këtë ridestinim të shumës prej mbi 1.4 milion, sepse do të shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve të Gjilanit.

Këshilltarët komunalë, me 20 vota për dhe 5 kundër e kanë miratuar transferin, por opozita, LV-ja dhe një pjesë e PDK-së patën vërejtje te mënyra e shpërndarjes së këtyre mjeteve, duke thënë se është dashur të orientohen në arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale, duke marrë parasysh edhe gjendjen e pandemisë dhe jo në kulturë, rrugë të rendit të tretë e të tjera.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës tha se këto mjete janë ndarë në pajtim të plotë me të gjithë drejtorët komunalë, kryesisht me ata që kanë pasur më shumë nevojë për përmbushjen e planeve të tyre, meqë disa projekte kanë ngelur mbrapa si pasojë e pandemisë.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti ka thënë pas…