Gjini: Komunat të jenë fokus i secilës qeveri

08 janar 2023 | 10:50

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini u shpreh se gjatë vitit të kaluar nuk kanë pasur ndonjë mbështetje të theksuar nga Qeveria e Kosovës.

Prandaj, ai konsideron se ekzekutivi qendror duhet ta ketë prioritet më të madh pushtetin lokal, pasi dështimi i pushtetit lokal është dështim i Qeverisë.

Por, edhe përkundër sfidave, i pari i Gjakovës, thekson se vitin 2022 kanë arritur ta përmbyllin me të hyra rekord.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini kritikon Qeverinë e Kosovës dhe ka një mesazh për ta.

“Nuk kemi pas ndonjë mbështetje që mund të theksohet, por unë e kisha formuluar pak më ndryshe këtë çështje për gjithë Kosovën. Qeverisjet nacionale dhe lokale janë të ndërlidhura, sepse jemi në një vend dhe në një shtet, pra kemi ndërlidhje mes veti. Qeveria nacionale merr vendime të cilat kanë efekt për gjithë Kosovën, për të gjitha komunat dhe zakonisht matet prej marrjes së mandatit deri në fund të mandatit. Nëse gjatë një qeverisje institucionet tjera, institucionet e pavarura por edhe komunat performojnë më mirë, ai është sukses edhe i qeverisë për shkak vendimeve që i ka marrë, mirëpo nëse një qeveri merr vendime e pas atyre vendimeve performanca e institucioneve tjera, edhe komunave bie, atëherë prapë i shkruhet qeverisë, jo vetëm komunave. Ne i kemi punët tona dhe i kryejmë, por jemi të ndërvarur dhe ky është mesazh i imi për Qeverinë e Kosovës… Secili qytetar i Kosovës jeton në një komunë, nuk ka qytetarë të cilët jetojnë në qeveri dhe të tjerët në komuna”, ka thënë Gjini, raporton Kosovapress.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkatdhetarët që vizituan Kosovë dhe po kthehen në vendet ku…