GjND-ja mban seancën e parë për ankesën e Armenisë ndaj Azerbajxhanit

15 tetor 2021 | 08:53

Armenia e akuzoi Azerbajxhanin për shkelje serioze të të drejtave të njeriut të enjten, kur dy shtetet që luftuan vitin e kaluar për Nagorno-Karabakun u përballën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Përfaqësuesi i Armenisë, Yeghishe Kirakosian, e bëri këtë akuzë gjatë seancës dëgjimore në GjND, në të cilën Armenia kërkoi nga gjykatësit që të vendosin masa të përkohshme urgjente për t’ia pamundësuar Azerbajxhanit shkeljen e një konvente në mënyrë që të shmanget diskriminimi etnik.

Rasti i ka rrënjët në luftën e vitit të kaluar për rajonin e kontestuar, Nagorno-Karabak, në të cilën u vranë mbi 6.600 njerëz. Rajoni njihet nga komuniteti ndërkombëtar si territor i Azerbajxhanit, por ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene nga vitet e nëntëdhjeta, kur kishte shpërthyer një luftë separatiste.

Duke iu drejtuar gjykatës, zëvendësministri azer i Punëve të Jashtme, Elnur Mammadov, i refuzoi pretendimet e Armenisë dhe i mbrojti veprimet e vendit të tij në Nagorno-Karabak, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Edhe Azerbajxhani ka paraqitur rast të ngjashëm në të njëjtën gjykatë, duke e akuzuar Armeninë për diskriminim të qytetarëve të tij dhe duke kërkuar nga gjykata që të vendosë masa të përkohshme ndaj shtetit fqinj.

Seancat dëgjimore për rastin e paraqitur nga Azerbajxhani pritet që të mbahen duke filluar nga 25 tetori. Vendimi për të dyja kërkesat pritet të merret në javët e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, po qëndron në SHBA…