Gjurmët e varrit

27 korrik 2023 | 21:28

Shkruan: Berat Dakaj

Vendi i varrit në Prishtinë mund të rezervohet nga i gjalli për një shumë simbolike parash. Vendin e varrit e ka rezervuar, sa ka qenë gjallë, Mark Krasniqi. Kanë rezervuar qindra njerëz vendvarre për vete e mijëra familje për familjarë.

Kush nuk i ka pasur mundësitë materiale të rezervojë vend për varr, i është caktuar një vend pa një rend familjar nga komuna. Shpeshherë ka ndodhur që viktima të varroset pranë xhelatit. Paradoks dhe absurditet i madh. Haqif Mulliqi pati fatin që, pa rezervim, pa parapagim, të varroset mes Fadil Vokrrit dhe Adem Mikullovcit.

Meqë ky vendbanim i përjetshëm nuk është vend vetëm për ta lëshuar trupin pa frymë është, ndër të tjera, edhe vend çmallje nga të dashurit. Disa varre, ndër vite, kanë mbetur edhe pa gjurmë për shkak të moskujdesit. Nuk di kush i kujt është. Asnjë shkronjë në dërrasë.

Nuk di kush ku prehet e ku pushon. Një prej këtyre varreve, që pas disa viteve nuk do të dijë njeriu i kujt është, është varri i Adem Mikullovcit. Sot, i bërë rrafsh me tokë. Ashtu si varri i Mikullovcit pa përkujdesje, në varrezat e Arbërisë njeriu të tillë gjen dhe shkel përplot.

Nderim të vdekurve të gjallët duhet t’u bëjnë edhe pas vdekjes. Nëse jo trashëgimtarët (Mikullovci nuk ka), shokët, miqtë, kolegët deputetë duhet të përkujdesen për varrin e tij. Duke e parë varrin e Mikullovcit në atë gjendje, m’u la kjo përshtypje: s’i kanë shkuar kurrë pranë as aktorët me të cilët realizonte episode për televizione e shfaqej në skena teatrore, as kolegët deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që janë shumë.

Nëse s’i keni mundësitë të ngrehni një përmendore mermeri për të, një rrasë guri ose një gur varri mund të shkoni ta merrni në Gllarevë e ta çoni te varri i tij e të shkruani një epitaf: Këtu prehet Adem Mikullovci.

Nëse as këtë rrasë e as këtë gur nuk keni mundësi ta paguani e ta bartni në Prishtinë, gllarevasit, për nder të Adem Mikullovcit, jua japin falas dhe jua sjellin në Prishtinë.

Nëse s’dini ta shkruani as atë fjali, jua shkruajnë edhe atë. Nëse s’veproni nga sot e tutje, e lini në harresë varrin e tij, kot gërvalleni për heqjen e gurit të nënës Pashkë të bërë shkrumb dhe hi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar sot udhëheqësit, pronarët…