Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e presidentit Meta për përjashtimin e gjyqtarëve

01 shkurt 2022 | 15:53

Gjykata Kushtetuese të martën ka hedhur poshtë kërkesën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për përjashtimin e trupës që është duke shqyrtuar shkarkimin e këtij të fundit, me argumentin se një kërkesë e tillë nuk është e bazuar në Kushtetutë.

Në vendimin e saj, gjykata ka theksuar se asnjë gjyqtar nuk ka paraqitur kërkesë për heqjen dorë nga shqyrtimi i çështjes.

Sipas saj, shkaqet e pretenduara nga institucioni i presidentit ndaj kryetares Vitore Tushaj janë të pabazuara në Kushtetutë. Me të njëjtin pretendim, gjykata ka vendosur edhe për kërkesat e ngritura ndaj anëtarëve të kësaj gjykate.

Kujtojmë se përfaqësuesit ligjor të presidentit Ilir Meta kanë kërkuar përjashtimin e trupit gjykues që po shqyrton shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se nuk mund të jenë të paanshëm.

Sipas përfaqësuesit ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese: Vitore Tusha, Përparim Kalo dhe Fiona Papajorgji, duhet të japin dorëheqjen nga shqyrtimi i kësaj çështjeje pasi kanë konflikt interesi.

Dervishaj ka thënë se kryetarja e gjykatës Kushtetuese është në detyrë 5 vite përtej mandatit të saj, ndërkohë që gjyqtari Përparimin Kalo relator është caktuar pa short që është në shkelje të kushtetutës.

“Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të qëndrojë kaq shumë përtej mandatit, pasi krijon një situatë të palogjikshme dhe konsumon gjysmën e mandatit të anëtarit tjetër”, ka thënë përfaqësuesi ligjor i Metës, raporton “TCh”.

Në këto kushte, sipas Dervishajt, trupi gjykues nuk mund të gjykojë me paanshmëri këtë çështje.

“Presidenti ka humbur gjithë besimin në këtë trupë gjyqësore”, ka thënë Dervishaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e mazhorancës, Klotilda Bushka, ka kërkuar nga trupi gjykues ta rrëzojë kërkesën për përjashtimin e kësaj trupe nga shqyrtimi i çështjes, duke e cilësuar analizën e përfaqësuesit ligjor të Metës hipotetike.

Gjykata ka vendosur të tërhiqej për ta shqyrtuar kërkesën e presidentit, të cilën vetëm pas disa minutash vendosi ta hedhë poshtë me argumentin se një kërkesë e tillë nuk është e bazuar në Kushtetutë.

Presidenti i Republikës ka refuzuar të jetë i pranishëm në seancë dhe përfaqësohet nga avokatët Kaltrina Treska dhe Bledar Dervishaj.

Në qershor të vitit te kaluar, 104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi është bazuar në gjetjet e raportit të hartuar nga komision hetimor i ngritur për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Meta e ka konsideruar të paligjshëm vendimin për shkarkimin e tij. Por përmes një postimi në faqen e vet në Facebook mëngjesin e sotëm, kreu i shtetit lajmëroi se avokatët e tij do të paraqiten në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet kërkesa e parlamentit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albin Tahiri ka zhvilluar stërvitje sot në Qendrën Skitare në…