Gjykata lë në burg tre nga dhunuesit e kushërinjve Maja në Krujë

09 korrik 2023 | 13:10

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Arrest në burg” për tre nga të ndaluarit për ngjarjen e dhunshme të regjistruar të enjten e 6 korrikut në Krujë.

Bëhet fjalë për shtetasit: Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Andi Rraja. Ndaj pronarit të lokalit Kujtim Përdaku është dhënë masa ‘Detyrim Paraqitje’ për moskallëzim krimi.
Katër personat e arrestuar dhunuan barbarisht shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja në Krujë.
Jehona e ngjarjes së rëndë që ndodhi tre ditë më parë në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, vijoi me reagime të forta nga institucionet shtetërore.

Dy të dhunuarit ishin ankuar se shtëpitë e tyre po dëmtoheshin nga një gurore aty pranë në pronësi të fisit Rraja, konkretisht Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit socialist, Rrahman Rraja.
Ky i fundit ka dhënë dorëheqjen ditën e djeshme, pasi në dhunën e shkaktuar ishin të përfshirë djali dhe dy vëllezërit e tij – të cilët nga

Policia e Shtetit janë quajtur dhe organizatorë të ngjarjes. Ai u ka kërkuar ndjesë atyre që i kanë dhënë voton prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.
Ndërkaq, Policia e Shtetit nuk është ndalur me aq, pasi ka rinovuar tërë trupën e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë.

Po ashtu Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, është tashmë drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.

Nga zhvillimet e fundit e pësoi edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili u shkarkua nga kreu i Qeverisë, Edi Rama. Postin e tij, sipas propozimit të kryeministrit, pritet ta marrë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vendimeve të drejtësisë sportive italiane, Juventusi pritet të marrë…