Gjykata turke dënon me burgim të përjetshëm dhjetëra persona për grusht shtetin e dështuar

26 nëntor 2020 | 15:28

Një gjykatë në Turqi u ka shqiptuar dënime të përjetshme dhjetëra të pandehurve në një nga gjykimet më të mëdha, që lidhet me përpjekjen për grusht shtet të vitit 2016.

Pilotë të forcave ajrore dhe komandantë të ushtrisë ishin në mesin e gati 500 të pandehurve, të akuzuar për përpjekjen për të përmbysur nga pushteti presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.

Një total prej 475 të pandehurve janë gjykuar, ndërsa 365 prej tyre janë të burgosur.

Të paktën 25 ish-ushtarakëve të lartë u janë shqiptua dënime të rënda të përjetshme.

Ata dyshohet se kanë drejtuar komplotin nga baza ajrore Akinci pranë Ankarasë.

Erdogani ka thënë se kleriku mysliman me bazë në ShBA, Fethullah Gulen, ka organizuar komplotin, por ky i fundit ka mohuar çdo përfshirje në përpjekjen për grusht shteti.

Përpjekja për grusht shteti la të vrarë 251 njerëz dhe më shumë se 2 000 të plagosur.

Gjyqi ka filluar në gusht të vitit 2017 dhe akuzat përfshijnë përpjekjen për të vrarë presidentin Erdogan dhe për të kapur institucionet kryesore të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mospajtimet publike të partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë vazhdojnë…