Gjykatat e Kosovës po përballen me mungesë të gjyqtarëve dhe hapësirave për punë

25 tetor 2019 | 12:07

Këshillit Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka diskutuar raportin 9 mujorësh të gjykatave nëpër komuna për vitin 2019.

Mungesa e gjyqtarëve në departamente të ndryshme e më së shumti në ato speciale, mungesa e hapësirave për të kryer punën e tyre dhe grumbullimi i lëndëve ishin ndër problemet kryesore që shpërfaqen kryetarët e gjykatave.

Hysen Shala kryetar i Gjykatës së Apelit, ka thënë se kjo gjykatë ka nevojë për edhe 10 gjyqtarë të rinj, derisa ka theksuar se kjo gjykatë ka rritje të lëndëve, 300 lëndë në çdo muaj.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti, ka thënë se ajo çka po i mungon kësaj gjykate, është mungesa e hapësirave e sidomos në ato të departamentit special.

Edhe për Gjykatën Themelore të Prizrenit, sfidë mbetet mungesa e hapësirave. Kryetari i kësaj gjykate, Ymer Hoxha, ka thënë se sfidë mbetet edhe rritja e lëndëve në lëmin civile.

Në anën tjetër, Ramiz Azizi, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, ka thënë se kjo gjykatë nuk përballet me mungesë gjyqtarësh, por që rezultatet e punës nuk janë aq të kënaqshme.

Kurse Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, ka thënë se edhe kjo gjykatë ka mungesa të zgjidhjes së lëndëve civile.

Me tutje, Sami Sharaxhiu, u.d i kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, ka thënë se aktualisht Istogu dhe Klina punojnë pa gjyqtarë.

Edhe u.d i kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, ka thënë se edhe ata përballen me problemin e njëjtë si të gjykatave të tjera, të mungesës së hapësirës për punë. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Instagram”-i do t’i heqë të gjithë filtrat që promovojnë kirurgjinë…