Gladiatorët e UÇK-së po i kënaqin spektatorët anti-UÇK

31 mars 2018 | 19:43

Ismail Syla

Është shumë i dëmshëm koncepti sipas të cilit nuk mund të jesh kontribuues i luftës çlirimtare dhe i çlirimit të atdheut nëse nuk ke vdekur, nëse nuk je vrarë, nëse nuk je dëshmor ose në qoftë se nuk je pjesëtar i familjes së dëshmorëve.

Çlirimi i atdheut është vepër vigane e ideve, vizionit dhe ndjenjave e sakrificës dhe rënies për qëllime madhore. Realizimi i këtyre qëllimeve nuk i vë kundër njëri tjetrit aktorët e gjallë me ata që janë sakrifikuar. Kontributi për atdheun nuk matet me peshën e kilogramëve të armëve, por me faktin se kundër kujt janë drejtuar ato armë.

Lufta çlirimtare është një tërësi organizimi e përpjekjeje në të cilën kontributi politik, ushtarak, logjistik dhe ai prapavijës janë të lidhur organikisht.

Jemi dëshmitar të disa deklaratave të mëhershme, por edhe aktuale lidhur me kontestimin e kontributit të njërit për tjetrin të figurave të larta të UÇK-së.

Kur këto tunda- mendje (kontestime) bëhen për inate personale, ato tejkalojnë natyrën e tyre, kur i hidhen publikut të gjerë. Në radhë të parë ato po gërryejnë si acidi mbi metal shtresën mbrojtëse, të armuar të personaliteteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje, duke u thelluar, ato edhe më shumë po i shërbejnë spektatorit me prirje të natyrshme anti – UÇK.

Sipas kësaj mendësie vetë rrënuese askush nuk ka qenë sa duhet komandant, asnjëri nuk ka qenë sa duhet trim dhe i guximshëm, askush nuk ka qëndruar sa duhet në front, askush nuk ka luftuar sa duhet drejtpërdrejt me forcat ushtarake dhe policore serbe, askush nuk ka sa duhet histori betejash e përleshjesh me Serbinë, askush nuk ka qëndruar sa duhet brenda në Kosovë. E për të qenë komandant dhe drejtues i UÇK-së, qenkësh dashur të rrish vetëm në front, vetëm në përleshje, vetëm në beteja dhe assesi të mbetesh gjallë, por gjithsesi të vritesh heroikisht.

Aq më keq, këto deklarata kanë krijuar efektin e “rrethit veskeq”. Flet i pari që provokon të dytin, i dyti i përgjigjet të parit, duke përmendur një të tretë. E kështu me radhë. Duke bërë garë se kush t’ia nxjerr në pah dobësitë tjetrit, duke ia djegur çejzin njëri tjetrit, ata në këtë mënyrë po nxijnë atë rreth aureole, që tjerët nga jashtë nuk do të mund t’ua errësonin asnjëherë.

Një deputet që kërkoi në mënyrë emocionale përkrahjen e deputetëve kryeneçë shqiptarë për votimin e demarkacionit u shpreh me naivitet se ata është mirë të votojnë për inat të listës serbe, që t’ua “plasin zemrën”. Në fakt këto deklarata, në të kundërtën, po ua kënaqin zemrën spektatorëve me prirje natyrore kundër liderëve të UÇK-së.

Dhe kjo nuk është më betejë e rëndomtë, është betejë gladiatorësh.

(Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka një tendencë gjithnjë e në rritje për të punësuarit…