Golden State pa problem e mposhti Atlantan

04 dhjetor 11:47

Golden State Warriors rikthehet tek suksesi në parketin e Atlanta Hawks, duke dhënë shenja të qarta se po e kalojnë periudhën e krizës. 111-128 përfundoi takimi në “State Farm Arena” të Atlantas, ku Stephen Curry, Kevin Durant e Klay Thompson, “Big Three”, realizuan plot 85 pikë në total, respektivisht 30, 28 dhe 27 pikë. 18 pikë, Curry i shënoi nga gjuajtjet përtej harkut, duke gabuar nga distanca vetëm 4 tentativa.

Fitore me përmbysje e Minnesota Timberwolves 103-91 ndaj Houston Rockets, skuadër që e kishte eliminuar në fazën ‘play-off-it të sezonit të kaluar. Në “Target Center” ishin të pranishëm më pak se 14 mijë shikues, por ata që qëndruan në shtëpi humbën spektaklin e dhuruar nga Karl-Anthony Towns me shokë, që rikuperuan 19 pikë diferencë, të shënuar në fund të pjesës së parë. 24 pikë dhe 11 topa të kontrolluar poshtë koshit ishin statistikat e “yllit” të Timberwolves, që mjaftuan për të zhvlerësuar 29 pikët e James Harden e 24 të Clint Capelas.

Detroit Pistons ndërprenë serinë e fitoreve duke dhuruar një paraqitje të dobët para publikut të tyre përballë Oklahoma City Thunder, që fituan me diferencë 83-110. Një sfidë e humbur që në fillim nga të zotët e shtëpisë, të cilët nga -10 pikë në fund të pjesës së parë, e panë vetën me -35 pikë në periodën e fundit, duke merituar edhe vërshëllimat e të pranishmëve në “Little Caesar Arena”.

Humbje e papritur e Toronto Raptors 103-106 ndaj Denver Nuggets. As forma e mirë e Kawhi Leonard, që shënoi në total 27 pikë, nuk shërbeu për të shmangur disfatën e ekipit kanadez në “Scotiabank Arena”, ku për miqtë u shfaqën në nivel të lartë Jokic e Murray me 23 dhe 21 pikë, raporton “SS”.

Randle dhe Holiday, respektivisht me 37 dhe 32 pikë, provuan gjithçka për t’u thënë suksesin New Orleans Pelicans, që në fund u dorëzuan 129-126 në “Staples Center” ndaj Los Angeles Clippers. Në radhët e kalifornianëve, te të cilët spikati loja në grup, u dallua Harris me 27 pikë. Në dy takimet e tjera Cleveland Cavaliers ndërprenë serinë e humbjeve radhazi, duke triumfuar 97-99 në parketin e Brooklyn Nets, ndërsa New York Knicks u mposhtën 107 – 110 nga Washington Wizards.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në…