Greqia blen nga Franca 3 anije luftarake dhe gjashtë avionë Rafale. Vlera 4 miliardë euro

25 mars 2022 | 00:01

Greqia firmosi sot një marrëveshje me vlerë 4 miliardë euro për të blerë tre fregata (Anije e shpejtë luftarake, e pajisur me artileri) dhe gjashtë avionë luftarakë Rafale nga Franca. ndërsa Athina forcon ushtrinë në përgjigje të tensionit me Turqinë fqinje, raporton AP.

Ministrat e Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos të Greqisë dhe ai i Francës,  Florence Parly, ishin pjesë e ceremonisë së nënshkrimit në prag të festës kombëtare të Greqisë, në bordin e një luftanijeje 112-vjeçare që aktualisht është një muze lundrues.

“Zgjedhja për të blerë fregatat Belharra dhe avionët Rafale nënvizon natyrën strategjike të marrëdhënieve midis Greqisë dhe Francës dhe mbështetjen e plotë të Francës për vendin tonë përballë sfidave dhe kërcënimeve” tha ministri grek i Mbrojtjes citon AFP.

“Me solidaritet ne trajtojmë kërcënimet me të cilat përballen kombet dhe interesat tona”, tha Parly. “Kjo tregon gjithashtu vullnetin tonë për të bashkëpunuar me industrinë në afat të gjatë.”

Tre fregatat franceze të klasit FDI do të ndërtohen nga kontraktori i mbrojtjes Naval Group në Lorient, në Francën perëndimore, dhe do të dorëzohen deri në vitin 2026. Marrëveshja e nënshkruar sot përfshin një opsion për të blerë një fregatë të katërt në një datë të mëvonshme.

Gjashtë avionët e rinj Rafale, që do të ndërtohen nga Dassault Aviation i Francës, iu shtuan një porosie të mëparshme prej 18 Rafales, që përfshinte avionë që më parë ishin në shërbim me Forcën Ajrore Franceze.

Franca mbështeti pozicionet e Athinës gjatë përplasjes së tensionuar detare që pati me Turqinë në vitin 2020 në lidhje me të drejtat e kërkimit të naftës dhe gazit në lindje të Detit Mesdhe.

Vitin e kaluar në Paris, liderët e Greqisë dhe Francës nënshkruan një pakt të ndihmës për sigurinë që do të përfshijë bashkëpunim më të ngushtë midis forcave të dy vendeve.

Vizita e Parly përkoi me një grumbullim të forcave detare të NATO-s në Mesdhe si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Pas ceremonisë së nënshkrimit, dy ministrat e mbrojtjes vizituan aeroplanmbajtësen franceze Charles de Gaulle, të ankoruar në portin e Pireut, pranë Athinës.

Avionët francezë do të marrin pjesë gjithashtu në paradën ushtarake vjetore në Athinë që mbahet  të premten për të shënuar ditën kombëtare. Në këtë ceremoni do të jetë edhe vetë ministri francez i Mbrojtjes.

Ndërkohë të enjten vonë, protestuesit e mbështetur nga Partia Komuniste Greke organizuan një demonstratë në portin e Pireut kundër marrëveshjes së armëve, si dhe përfshirjes së Greqisë në përgjigjen e NATO-s ndaj luftës në Ukrainë. Protesta përfundoi e qetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, njëherit ish-ministër i Mbrojtjes, nuk…