Greqia i mohon pretendimet e Kurtit se janë afër njohjes: Pozicioni i Athinës mbetet i pandryshuar

11 shtator 2023 | 10:41

Një burim brenda Qeverisë së Greqisë i ka mohuar zërat se Athina është afër njohjes së pavarësisë së Kosovës ashtu siç kishte paralajmëruar edhe kryeministri kosovar Albin Kurti një javë më parë në një intervistë për televizionin polak, i cili, përveç të tjerave, ka thënë se ekzekutivi kosovar ka punuar shumë në këtë drejtim.

Në një përgjigje për portalin e lajmeve “Euroactiv” në Bruksel, zyrtarë qeveritarë në Athinë kanë përsëritur se “pozicioni grek mbetet i pandryshuar”, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Kurti se shteti grek shpejt do të shkëputet nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që ende nuk e njohin Kosovën.

Ndryshe prej pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), shteti grek ka luajtur rolin më bashkëpunues diplomatik, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, ngritur nivelin e tregtisë dhe duke dërguar e pritur delegacione qeveritare.

Teksa ka folur në televizionin polak rreth zhvillimeve politike, kryeministri Kurti ka thënë se “Greqia është në ballë të këtyre vendeve e që është më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës”, duke marrë për referencë edhe statusin e zyrës ndërlidhëse të Prishtinës në Athinë.

Kërkesa e Kosovës për njohje ekziston në Athinë prej shumë vitesh. Qeveria e Greqisë gjithashtu është treguar mjaft e hapur për bashkëpunim, duke pritur delegacione kosovare dhe duke bërë shpesh vizita zyrtare në Prishtinë. Çështja e Kosovës ngritet shumë shpesh në agjendën e politikës së jashtme greke.

Greqia ka qenë për një kohë të gjatë “mosnjohëse e butë” – përderisa nuk ka lëvizur drejt njohjes aktuale, ajo ka qenë mjaft e ngrohtë dhe konstruktive ndaj Kosovës në aspektin praktik. Madje,  ajo ka zhvilluar marrëdhënie më të afërta me Kosovën në krahasim me shumë shtete njohëse.

Vlen të theksohet se edhe gjatë luftës së Kosovës dhe gjatë Konferencës e Paqes në Rambuillet të Francës, roli i diplomacisë greke ishte aktiv dhe ekuilibrues. Megjithatë, përpos në raport me pavarësinë e Kosovës, diplomacia greke është përballur në Ballkanin Perëndimor edhe me një çështje tjetër, atë të emrit të Maqedonisë së Veriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prenk Mataj nga Gjakova shpall të pavlefshme diplomën e gjimnazit…