Gresë Krasniqi: Pjesë nga letra, të cilën asnjëherë nuk e lexova deri në fund

19 prill 2023 | 15:50

Asnjëherë se gjeta forcën brenda meje ta lexoj me fjale atë çfarë përjetuan të gjallë ish të burgosurit shqiptarë.

Letra e të Burgosurve të Gospiçit.

“…Gjatë transferimit prej Kosovës për në burg të Gospiçit (Kroaci – shën i red.), na e përgatitën një pritje të posaçme, si për të burgosur politikë shqiptarë, e cila nuk mund të quhet ndryshe veçse torturë e egër nga më çnjerëzoret, që ua kalon edhe tmerreve të Dahaut e të Mathauzenit.

Nuk po ju shkruajmë se ç’kemi përjetuar gjatë hetimeve në Kosovë, pse dhe si jemi dënuar, sepse për këto (dhe jo vetëm për këto) do të flasë historia, por po ju shkruajmë për peripecitë tona që nga koha kur ramë në duart e policisë speciale dhe të gardianëve të burgjeve të Kroacisë.

Kur na mori policia speciale, që në burgun e Qarkut të Prishtinës, së pari na zhveshi lakuriq, jo për të na kontrolluar, por siç pohonin edhe vetë, për të na poshtëruar. Pastaj, duke na qëlluar me shkelma e gryka të automatikut, na ngarkuan në një kamion special me kafaze të metalta. Në çdo kafaz ishim nga dy veta. Të gjithë qemë të lidhur me zinxhirë kafshësh dhe të shtrënguar aq fort saqë na u ënjten duart. Dyert e kamionit u mbyllën hermetikisht. Disa orë qëndruam në vendin e nisjes, dhe pas ca minutash filloi të na zihej fryma, meqë s’kishte asnjë vrimë nga mund të hynte ajri. Merreni më mend: ishim 43 njerëz brenda!… Mungesa e oksigjenit na këputi fare, nga frika se mund të pëlcisnim, edhe pse e dinim ç’na pret filluam t’i mëshonim me sa forcë që kishim dyerve të metalta të kafazëve. Mirëpo policët s’qanin kokën për ne. Vetëm dikur vonë, pasi u alivanosëm më tepër se gjysma, e hapën derën. Vetë qëndronin disa metra larg, se s’mund të duronin duhmën e rëndë të trupave tanë që dilte jashtë si avull. Të gjithë ishim larë në djersë, qemë zbehur e bërë meit. Kamioni kishte ventilator për ajrosje por nuk e lëshonin me qëllim që të na mundonin sa më shumë.

Gjatë rrugës, që zgjati 17 orë, askund s’na dhanë bukë, me përjashtim nga një gotë me ujë në Zagreb. Në Beograd, ku u ndërrua përcjellja, na çonin nga dy në WC, duke na goditur vazhdimisht me kërbaçë, shkeIma dhe me automatikë shpinës. Eprori i ndërrimit në këtë qytet na tha prerë se që tashti ndërron regjimi. Na porositi shkurt se për mosdisiplinë do të përdoren armët. Nuk dimë se si mund të prishë rendin njeriu i këputur fare, me duar të lidhura pas shpine, me zinxhirë të trashë e të mbyllur hermetikisht në kafazin e metaltë të kamionit!? Që të tregohet “zemërgjerë”, ai na mori shkrepsat që s’i pamë më kurrë.

Në burgun e Gospiçit arritëm më 15 nëntor 1981, në ora 8:00… Na zhveshën lakuriq dhe filluan të na rrahin masivisht. Gardianët bënin gara se kush po ia kalon shokut në rrahje! Trupi lakuriq na u bë i tëri me damka të përgjakura. Nexhmi Balajt ia hapën gojën dhe me tërë forcën ia futën kërbaçin në fyt! Desh e plasën… Më se dy javë s’ka mundur të hajë bukë nga plagët që mori. Avdyl Zymberin e rrëzuan përtokë dhe një gardian ia rrasi çizmen në gojë dhe i thoshte: “lëpije”! Halit Osmanin e shtrinë me dajak dhe i shkaktuan deformime të përjetshme në hundë e në trup… Ashtu e pësoi Jakup Rexhepi; Shaban Dragushës ia shkulën pothuaj gjithë mustaqet. Avdi Limanin e rrihnin për së shtriri dhe kryesisht i mëshonin në gjoks, për çka ka mbetur me pasoja të përhershme në zemër! Naim Bujupit edhe sot i shihen plagët që mori nga dajaku. Më i egri në këtë masakër u tregua njëfarë Gjura, i cili na mëshonte në organet gjenitale, në hundë e në gojë! As gardianët tjerë s’mbetën prapa, ata menjëherë filluan të ndjekin shembullin e kolegut të tyre. Naimit kur i binin në organet gjenitale, i thoshin: “kurrë më s’do të kesh fëmijë shqiptarë”!

Pasi i tërë korridori u mbush me gjakun tonë, na futën nga tre nëpër qeli. Askush nuk guxonte të ulej, sepse dhanë urdhër të prerë që të rrimë gatitu! Pas dy orësh na lidhën duart dhe dy nga dy na çuan “në kontroll te mjeku”! Rruges na goditnin me shkelma dhe na shanin, na fyenin duke na sharë nënën, dhe çdo gjë shqiptare… Dajakun s’na e ndalën as kur u kthyem “prej kontrollit”. Në çdo kat të burgut rrinin nga 7-8 gardianë, të cilët na mëshonin pandërprerë deri sa kalonim atypari, pastaj na futën prapë nëpër qeli dhe aty mbizotëronte një heshtje varri. Edhe pse s’na kishte mbetur fare fuqi, nga torturat e vazhdueshme, ishim të detyruar të rrimë gatitu. Këso torture përjetonte edhe Sadik Sadiku, njeri i gjymtë, me një këmbë. Me sadizëm të rrallë ia rrihnin të vetmen këmbë duke e kërcënuar: “do ta këpusim edhe këtë që të ka mbetur, pastaj ec në duar”! Nga rrahja shumë veta u bëmë të paaftë për gjithë jetën. Adem Salihajt (gazetar i Televizionit të Prishtinës) ia lënduan rëndë boshtin e kurrizit. Fatmir Jusufit, që ishte i shtrirë i alivanosur ia shke- lën dorën me çizme dhe ia dërrmuan gishtrinjtë. Aspak më mirë nuk shpëtuan: Hamdi Hajdini, Riza Demaj, Abdullah Rama, Xhemajl Fici etj. Zylfi Ratkocerit (duke i thënë vazhdimisht se nuk do të kesh kurrë fëmijë shqip- tarë!), i shkaktuan lëndime të rënda në organet gjenitale.

Ditën e tetë erdhi të na shohë vetë drejtori i burgut. Në vend qe t’ia ndalte hovin këtij masakri, i tha mbi-këqyrësit: “vazhdo kështu edhe më tutje”! Meqë gjendja ishte e padurueshme, më 12.12.1981 të burgosurit e qelisë nr. 82, Hamdi Latifi e Hilmi Muzaqi, iu ankuan drejtorit të burgut, duke ia bërë me dije (edhe pse ai e dinte) se çdo ditë po torturoheshim pa asnjë shkak. “Do t’ua presim qafën të gjithëve”, u përgjigj drejtori dhe urdhëroi Stevën të vazhdojë avazin. Steva, gardian i ndëshkimores së Lepogllavës (siç morëm vesh, e kishin sjellë bashkë me gardianët më famëkëqij të Kroacisë që të na torturonte), vërtet e kreu mirë detyrën e xhelatit. Po atë ditë, me të gjithë gardianet e ndërrimit të tij, i rrahu dy të burgosur që ishin ankuar, gjersa u ra të fikët, me qëllimin e vetëm që të na tmerrojnë dhe të mos ankohemi më kurrë.

Veç rrahjeve të përditshme, na duhej të rrinim edhe nga 4-5 orë në ditë gatitu pa ndërprerje, nuk guxonim të lëviznim fare nga vendi, sepse policët na shikonin për vrimën e posaçme të derës!… Nëse ndonjëri prej nesh s’mund të flinte nga plagët që ia shkaktonin ditën, e nxirrnin nga qelia dhe e dërrmonin me shkel- ma e kërbaç, nën pretekstin pse nuk po fle! Të njëjtin fat pësonte edhe cimeri i tij, pse flinte e nuk lëvizte!

Me 17 dhjetor 1981, pasi e pastroi nevojtoren Riza Demaj (ish-kampion shteti në skijim), i thanë të shkojë në qeli. Nën pretekstin se e hapi derën, vetë gardianët Shubek dhe Sllavek (të Lepogllavës) e rrahën aq shumë Rizahun, saqë për një kohë të gjatë mbeti si i vdekur në korridor. Me një fjalë, tortura në këtë ferr ka kaluar në normë, ndaj edhe s’mund të flitet për shkelje të rendit shtëpiak. Për shembull, plakun Avdi Latifi e rrahën vetëm pse e kishte nipin e vet të dënuar në ndëshkimoren e Stara Gradishkës! Rasti më rrëqethës padyshim është ai i 26 prillit 1992, kur i sollën në Gospiç edhe 26 të burgosur politikë shqiptarë. Pasi i kishin rrahur rrugës si në Beograd, Zagreb e Gospiç, në burg ata u sollën në mënyrë edhe më shtazarake se me ne. Këtë e bënë, jo për tjetër, vetëm se qenë të dënuar politikë shqiptarë. Ata i kishin sjellë të vuanin burgun në këtë vend, se, ashtu si ne, kishin marrë pjesë në demonstratat e pranverës së 1981-shit. Me sadizëm të veçantë ndaj tyre u soll njëfarë Vinko, gardian i ndëshkimores së Lepogllavës. Ai, pasi i rrihte, i detyronte të thonë republikë, të këndojnë… dhe të marshojnë si për paradë në korridor! Me atë rast një të burgosur e pyeti: nga je? Prej Dragashi, iu përgjigj ai. Ku gjendet Dragashi? Në Kosovë, iu përgjigj i burgosuri. Mjaftoi kjo që i Dragashësi të hante shumë dajak, sepse zotëri Vinkut nuk i pëlqente ta dëgjonte emrin Kosovë. Me 3 maj 1982 po ky gardian erdhi i dehur dhe me Nikollën e Gospicit i rrahu gjer në alivani Shani Berishën, Ramë Demain dhe Enver Hotin. Gardianëve që përmendëm nuk ua lëshojnë aspak rrugën në këtë xhelati as Stevo Shetiqi dhe Ilja i Lepogllavës.

Një satrapi e tillë në Gospiç ishte fare e rëndomtë. Tortura qe bërë pjesë e pandashme e jetës sonë. Para se të na dërgonin në ndëshkimoren e Lepogllavës, është me rëndësi të theksojmë, se i tërë korridori i burgut të Gospiçit ka qenë i stërpikur me gjakun tonë. Njolla të mëdha gjaku ka pasur edhe nëpër dhoma. Një nga format më të rënda të torturës, sigurisht ishte të shtyrit e dyshekut. Një gardian e lagte korridorin e betontë me ujë, dhe nëpër të ne detyroheshim të shtyjmë dyshekun e pambuktë, duke i vënë duart mbi të dhe ashtu i tërë gjaku na binte mbi kokë!… Nga lodhja alivanoseshim, ose këputeshim aq sa nuk mund të shkonim deri në qeli. Si pasojë e kësaj torture, veç të tjerëve, Halit Osmanit edhe sot i bie të fikët, ndërsa këmbët rregullisht i ngërçohen. Me ketë “lojë” torturuese kënaqeshin gardianët sadistë Stevo, Nikolla (i Stara Gradishkës) si edhe dy të tjerë nga famëkeqi Goli Otok, emrat e të cilëve nuk i dimë. Ata nuk kënaqeshin me kaq. Pasi lodheshim mirë e mirë nga “puna” që bënim me dyshekun e pambukte, na detyronin të rrinim gatitu. Të ndenjurit gatitu ishte një ndër format më torturuese në atë kasaphane. Ndodhte të na mbanin gatitu edhe në mes të natës!… Edhe kur hanim bukë, edhe kur gjendeshim në nevojtore, edhe kur binin kambanat e kishave, Dushani e Borisi të Goli Otokut, apo gardianët e tjerë na urdhëronin të rrinim gatitu. Sadisti Stevo nuk kënaqej me kaq, por shpesh na thoshte: “Bëni vetëvrasje! Pse nuk e bëni? Nëse nuk vetëvriteni, do t’ju pushkatojmë ne, e pastaj do të themi se keni dashur të ikni!…”

“Zëri i Kosovës” Nr.2, mars 1983

(Marrë nga “Facebook” i Gresë Jakup Krasniqit).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Khvicha Kvaratskhelia është lojtari kryesor i Napolit këtë edicion, por…