Guardiola mbron Man Cityn, pak para shpalljes së verdiktit për 115 akuza
Pep Guardiola ka ripërsëritur besimin e tij te drejtuesit e Manchester Cityt, ndërsa klubi pret vendimin për çështjen e 115 akuzave për shkelje të rregullave financiare në Premier League.
Akuzat lidhen me periudhën 2009-2018, ndërsa City u akuzua zyrtarisht nga Premier League në shkurt të vitit 2023. Rasti konsiderohet një nga betejat më të mëdha ligjore në historinë e futbollit anglez.
Guardiola, i cili po përgatitet të mbyllë një dekadë të suksesshme në “Etihad”, tha se vazhdon t’u besojë drejtuesve të klubit. “U besoj atyre. Kam folur me ta dhe u besoj mënyrës si kanë vepruar”, u shpreh trajneri spanjoll.
Vendimi i komisionit të pavarur pritet pas përfundimit të sezonit, ndërsa në rast se City shpallet fajtor, ndëshkimet mund të përfshijnë gjoba të mëdha, zbritje pikësh apo edhe përjashtim nga elita e futbollit anglez. Megjithatë, çdo vendim pritet të pasohet nga një proces i gjatë apelimi.
Largimi i Guardiolës do të shënojë fundin e një prej epokave më të suksesshme në Premier League, ndërsa Manchester City hyn në një periudhë të rëndësishme tranzicioni, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë ligjor.



