Guvernatori Mehmeti ndau çmimet ‘Ekonomisti i Ri’

12 qershor 2018 | 15:07

Në funksion të zhvillimit të hulumtimit ekonomik, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka ndarë çmimin për hulumtuesit më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj, në fushën e sistemit financiar dhe zhvillimit ekonomik në vend.

Të martën në ambientet e BQK-së, guvernatori i kësaj banke, Fehmi Mehmeti, ka ndarë çmimet për punimet fituese të paraqitura për çmimin “Ekonomisti i Ri për vitin 2017”.

Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të punimeve më të mira hulumtuese në fushën e ekonomisë dhe financave, Komisioni profesional ka vlerësuar hulumtimin me titull: “Portfolio risk of international diversification of Kosovo Pension Fund: a historical perspective” punuar nga Florin Aliu dhe punimin e Arian Krasniqit me titull: “Plasimi i produkteve të Kosovës në tregun e Bashkimit Evropian: Aplikimi i strategjive diferencuese si faktor signifikant”.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se është i kënaqur me përzgjedhjen e fituesve të çmimit ‘Ekonomisti i Ri’.

“Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa pasur zhvillim të stabilitetit financiar dhe ky është një nga qëllimet e mia kryesore prej që jam emëruar në pozitën e guvernatorit. Andaj qëllimi ynë kryesor është që fillimisht të kemi stabilitetin financiar ku aktualisht jemi më së miri në rajon”, ka thënë ai.

Mehmeti ka pohuar se planifikojnë t’i zgjerojnë funksionet e BQK-së në funksion të përkrahjes së ekonomisë.

Ai ka treguar se janë duke krijuar edhe një qendër të përditësimit të transaksioneve të kartelave në Kosovë. “Krejt këto po bëhen me qëllim të rritjes së funksioneve të Bankës Qendrore të Kosovës”, është shprehur Mehmeti.

Ndërsa, fituesit e çmimeve kanë falënderuar guvernatorin Mehmeti për përkrahjen e nismave të tilla nga BQK-ja, që sipas tyre, janë në dobi të hulumtuesve të rinj.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Llapi është duke u organizuar mjaft mirë për edicionin e…