Guvernatori Ismaili takon bizneset, në fokus modernizimi i pagesave

12 nëntor 2026 | 12:09

Në kuadër të takimeve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) me institucionet, partnerët dhe komunitetin e biznesit për informimin mbi reformat në sektorin financiar, guvernatori Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Dardan Fusha, zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).

Paraprakisht, guvernatori Ismaili u takua me kryetarin e OEK-së, Lulzim Rafuna, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Guvernatori Ismaili mbajti një prezantim të detajuar mbi zhvillimet dhe reformat kryesore në sektorin financiar, me theks në modernizimin e sistemit të pagesave dhe integrimin financiar evropian.

Ai informoi pjesëmarrësit për dorëzimin e aplikimit formal të Kosovës për përfshirje në hapësirën gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Përfshirja në SEPA pritet të lehtësojë transferet ndërkufitare në euro dhe të ulë kostot e tyre, veçanërisht për bizneset që kryejnë pagesa dhe pranojnë mjete nga partnerët në tregun evropian.

Guvernatori Ismaili përmendi edhe avancimet në Sistemin Ndërbankar të Pagesave të Kosovës (KIPS), të zbatuara që nga fillimi i tetorit 2026, të cilat kanë përmirësuar efikasitetin dhe disponueshmërinë e sistemit.

Guvernatori Ismaili prezantoi gjithashtu zbatimin gradual të sistemit të pagesave të shpejta TIPS Kosova (TIPS-K).

Bankat që janë të gatshme do të fillojnë ofrimin e shërbimeve më 23 nëntor 2026, ndërsa të gjitha bankat do të lidhen me sistemin deri më 23 shkurt 2027. Përmes TIPS-K, bizneset që janë klientë të bankave pjesëmarrëse do të mund të kryejnë pagesa dhe të pranojnë mjete brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Kjo do t’ua lehtësojë pagesat ndaj furnitorëve, arkëtimet nga klientët dhe menaxhimin e likuiditetit.

Tarifat e reja për transferet bankare do të zbatohen nga 23 nëntori 2026 në të gjitha bankat, përfshirë ato që do të lidhen me TIPS-K gjatë periudhës kalimtare.

Pas lidhjes së të gjitha bankave, parashihet zgjerimi i pjesëmarrjes në sistem edhe për institucionet jobankare të pagesave dhe institucionet e parasë elektronike.

Gjatë vitit 2027, BQK-ja planifikon të nisë zhvillimin e shërbimeve plotësuese mbi infrastrukturën e TIPS-K, me synim zgjerimin e mëtejshëm të shërbimeve të pagesave në dobi të ekonomisë.

Gjithashtu u diskutua për zbatimin e reformave dhe ndikimin e tyre në veprimtarinë e bizneseve, ndërsa u adresuan pyetjet e pjesëmarrësve nga guvernantori dhe zëvendësguvernatori.

Në takim u vlerësuan lart bashkëpunimi ndërmjet BQK-së dhe OEK-së dhe angazhimi i BQK-së me komunitetin e biznesit.

U përshëndetën reformat e BQK-së që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për ndërmarrjet.

U diskutua gjithashtu për vazhdimin e bashkëpunimit në informimin e bizneseve dhe adresimin e çështjeve me interes për to gjatë zbatimit të reformave.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryesuesja e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive…