Posta e Kosovës shënon 1,11 milionë euro fitim në vitin 2025
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, së bashku me kryeshefen ekzekutive të Postës së Kosovës, Nora Rraci dhe drejtorin e Njësisë për Ndërmarrje Publike, Dëfrim Pllashniku, kanë nënshkruar marrëveshjen për kompensimin e shërbimit universal postar, në vlerë prej 477 mijë eurosh, në përputhje me normat evropiane.
Shërbimi universal postar garanton që të gjithë qytetarët të kenë qasje në shërbimet e pranimit dhe dërgimit të letrave dhe pakove, brenda dhe jashtë vendit, me çmime të përballueshme dhe të unifikuara, në të gjitha pikat postare dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Kjo nënkupton që çmimi i pullës postare për një kartolinë brenda Prishtinës është i njëjtë me atë për një kartolinë nga Leposaviqi në Brod të Sharrit.
Posta e Kosovës pritet që edhe këtë vit ta mbyllë me rezultat financiar pozitiv, duke shënuar kështu vitin e tretë radhazi me fitim.
Ndërmarrja kishte arritur të dalë me fitim për herë të parë në vitin 2024, pas më shumë se një dekade nga themelimi si ndërmarrje e veçantë.
Kurse, gjatë vitit 2025 Posta e Kosovës ka shënuar 1,11 milionë euro fitim, ndërsa auditori i jashtëm i ka dhënë opinion të pastër, pa vërejtje, për pasqyrat financiare të ndërmarrjes.
Nën udhëheqjen e kryeshefes Nora Rraci, Posta e Kosovës ka zgjeruar rrjetin e saj me hapjen e 43 zyrave të reja postare, ka investuar në teknologjinë informative dhe ka modernizuar flotën e automjeteve me mjete vetjake, duke siguruar shtatë furgonë, dhjetë vetura dhe 59 motoçikleta.
Këto rezultate dëshmojnë për përmirësimin e performancës financiare dhe operacionale të ndërmarrjes, si dhe përkushtimin për ofrimin e shërbimeve postare cilësore dhe të qasshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.



