KPK-ja dhe ATK-ja diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional
Kryesuesja e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Arlinda Muqa, së bashku me anëtarin e këtij Komisioni, Shkëlzen Ibrahimi, kanë vizituar sot Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ku janë pritur nga Drejtori i Përgjithshëm, Mentor Hyseni, Drejtori i Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, Ferid Sylejmani, si dhe Shefi i Hetimeve, Fadil Revuçi.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve kanë diskutuar për mundësitë e koordinimit dhe bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke përfshirë përgjegjësitë dhe aktivitetet që ndërlidhen me veprimtarinë e tyre institucionale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë së avancimit të bashkëpunimit ndërmjet Administratës Tatimore të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit, me qëllim të rritjes së efikasitetit në trajtimin e çështjeve që kërkojnë koordinim ndërinstitucional.
Në këtë drejtim, përfaqësuesit e ATK-së theksuan rëndësinë e trajtimit me prioritet të kërkesave të këtij institucioni nga prokuroritë përkatëse, në mënyrë që ATK-ja të mund t’i përmbushë me kohë dhe në mënyrë efektive obligimet dhe përgjegjësitë e saj ligjore.
Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e organizimit të një punëtorie të përbashkët ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorit të Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës, në të cilën do të trajtohen format dhe mekanizmat konkret të bashkëpunimit dhe koordinimit të mëtejshëm ndërinstitucional.



