Hajdari: Të dielën do të ketë festë në ‘Fadil Vokrri’

05 prill 2019 | 14:37

Lojtari i Gjilanit, Fiton Hajdari, është shumë i lumtur që derbi më i madh në futbollin e Kosovës në mes të Gjilanit dhe Dritës do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Futbollisti Fiton Hajdari i është gëzuar vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës që derbi Gjilani – Drita të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën nga orën 20:00 dhe, sipas Hajdarit, qytetarët nga të gjitha pjesët e Kosovës mund të vijnë për ta përcjellë nga afër këtë derbi. “Është mirë që kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Aty janë të gjitha kushtet që të dyja skuadrat të aplikojnë lojërat e tyre, por edhe shikuesit mund të vijnë nga e gjithë Kosova për të parë një nga derbit më të zjarrtë në Ballkan. Nuk dyshoj se atmosfera do të jetë shumë e mirë, pasi gjithmonë ‘Skifterat’ dhe ‘Intelektualët’ kanë krijuar atmosfera të jashtëzakonshme”, ka thënë Hajdari për “Epokën e re”.

Në ndeshjen e fundit Gjilani luajti baras (0-0) në Skenderaj ndaj Drenicës, kurse tash synon të marrë një rezultat pozitiv në derbin ndaj Dritës. Kjo e fundit është kampione në fuqi, por e ka humbur hapin për ta mbrojtur titullin dhe është eliminuar nga Kupa, kurse Gjilani synim e ka ikjen nga zona e barazhit. “Ne kemi nevojë të madhe për pikë dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Besoj se mund të marrin rezultat pozitiv, pse jo edhe fitore. Mungesa e vetme për ne ndaj Dritës do të jetë kapiteni Ylber Kastrati”, ka deklaruar Hajdari, raporton “Epoka e re”.

Javë më parë skuadra e Gjilanit në pozitën e trajnerit e ka angazhuar strategun nga Shqipëria, Gentjan Mezani. Lidhur me këtë ndryshim Hajdari ka shtuar: “Trajneri i ri e ka sjellë një frymë të re në skuadër dhe jemi duke punuar shumë mirë me të, duke studiuar edhe hollësitë më të vogla. Kemi filluar, po ashtu, t’i eliminojmë edhe gabimet që kemi bërë në ndeshjet e kaluara”. Gjilani aktualisht pozicionohet në pozitën e gjashtë me 24 pikë, kurse Drita është dy pozita më lart me dhjetë pikë më shumë.

/Veton ZYMBERI/

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe bizneseve është i domosdoshëm për të…