Halil Toska një tribun i palodhur i Çështjes Kombëtare Shqiptare

11 maj 2026 | 21:26

Në përkujtim të veprimtarit të palodhur, patriotit të përkushtuar dhe shokut tonë të dashur, Halil Toska, me rastin e përvjetorit të njëmbëdhjetë të ndarjes së tij nga ne përgjithmonë.

Halili ishte një nga bijtë më të denjë të Dardanës, një emër që sot kujtohet me respekt, mall dhe krenari. Ai rridhte nga një familje e njohur për ndjenja të thella atdhetare dhe që në fëmijëri u edukua me dashurinë për kombin, gjuhën dhe flamurin shqiptar.Shkollën fillore e kreu në Hodonoc, ndërsa të mesmen në Kamenicë, ku u dallua si nxënës shembullor i urtë, i dashur me shokët e shoqet dhe gjithmonë i etur për dije. Por mbi të gjitha, Halili ishte i etur për liri. Në bankat shkollore ai lexonte literaturë ilegale bashkë me shokët e tij, duke ushqyer në zemër mllef ndaj padrejtësive që ushtronte pushtuesi serb mbi popullin shqiptar.Sa herë që i jepej mundësia, fliste hapur për të drejtat e mohuara të shqiptarëve. Fjala e tij ishte e qetë, por plot zjarr atdhedashurie. Për këtë arsye gëzonte respekt të madh kudo që ndodhej.Përveç librit, që nuk iu nda kurrë nga dora, Halili kishte pasion edhe çiftelinë. Në tingujt e saj ai këndonte për trimat e kombit, për dëshmorët, për plagët e Kosovës dhe për Shqipërinë, të cilën e deshi me gjithë shpirt. Zëri i tij i ëmbël shpesh bëhej zë kushtrimi për liri.Pas përfundimit të shkollës së mesme me sukses, regjistroi Fakultetin Filologjik, dega Letërsi. Letërsia ishte ëndrra e tij, sepse frymëzimin e kishte marrë nga rilindasit shqiptarë. Ishte betuar se do të ecte në gjurmët e tyre me pendë, me fjalë dhe me përkushtim ndaj atdheut.
Në fakultet, Halili zgjeroi rrethin e veprimtarisë patriotike. U lidh ngushtë me shumë shokë idealistë, ndër ta edhe Tefik Zymberi tashmë Hera,Ismet Tafili,Gani shala ,Hasan Luma dhe shumë të tjerë. Veprimtaria e tij arriti kulmin në demonstratat e vitit 1981, ku ai ishte ndër më aktivët në kërkesën për Kosovën Republikë.Pikërisht për këtë ideal ai u dënua me burg.Por as burgu nuk mundi ta thyejë shpirtin e tij. Përkundrazi, aty gjeti burrat më të mirë të kombit ata që kishin sakrifikuar rininë dhe jetën për Kosovën. Halili doli nga burgu edhe më i fortë, edhe më i vendosur për ta vazhduar rrugën e nisur.Megjithatë, ai ndiqej vazhdimisht nga syri i bashkëpunëtorëve të pushtuesit. Një rast që mbetet i paharruar ishte kur punëtori i UDB-së, Daut Morina, në autobus ia mori çiftelinë, duke menduar se do t’ia ndalte këngën patriotike. Por Halili nuk u zmbraps kurrë. Ai bleu një çifteli të re, edhe më të bukur, dhe vazhdoi të këndonte me zërin e tij të ëmbël për dëshmorët, për Shqipërinë dhe për Kosovën martire.Sepse Halili e dinte mirë se kënga e atdheut nuk shuhet kurrë.
Sot, pas kaq vitesh mungesë, emri i tij vazhdon të jetojë në kujtesën tonë si simbol i njeriut të urtë, të ndershëm dhe të pathyeshëm. Ai mbetet shembull për brezat se si duhet atdheu, si mbrohet identiteti dhe si ruhet dinjiteti kombëtar.Shkove në kohën kur më së shumti iu deshe familjes, shokëve dhe Kosovës, o Halil.U ndave nga ne, por nuk ike kurrë nga zemrat tona.
Bujaria, sinqeriteti, urtësia dhe fjala jote e mençur do të mbeten përherë në kujtesën tonë. Jemi krenarë që të patëm shok, bashkudhëtar dhe frymëzim.
Lavdi jetës dhe veprës së Halil Toskës.

Prof.Gani shala
13.05.2026 Abtwil ,SG.Zvicër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata politike brenda Partisë Laburiste në Britani po përshkallëzohet, pasi…