Haliti: Vdekja e gjeneral Çopanit është humbje për gjithë shqiptarët kudo që janë

16 maj 16:34

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, me rastin e ndarjes nga jeta të gjeneralmajor Adem Çopanit në Dallas të SHBA-ve, ka thënë se gjeneral Çopani dha kontribut madhor për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. “Prandaj ky kolos ushtarak meriton respektin e të gjithë kombit shqiptar, përfshirë edhe një varrim dinjitoz në Shqipëri”, ka thënë Haliti.

Postimi i plotë i Halitit në “Facebook”:

Sot mora lajmin e trishtueshëm për vdekjen e gjeneralmajor Adem Çopanit në Dallas të SHBA-ve.

Humbja e gjeneral Çopanit është tejet e dhimbshme. Është humbje për familjen, për Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët kudo që janë.

Gjeneralin e takova për herë të parë gjatë vitit 1991, pas takimit të parë me presidentin e atëhershëm Ramiz Alia.

Edhe pas rënies së komunizmit, Çopani vazhdoi detyrën e tij pranë presidentit Sali Berisha. Ai u rrit së bashku me ushtrinë, dhe me meritë u zgjodh Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë gjithë kohës se veprimtarisë sime për të arritur te finalja – çlirimi i Kosoves, Çopanin e kisha këshilltarin më të mirë nga të gjithë ushtarakët e oficerët tjerë të Republikës së Shqipërisë.
Gjeneralin e kisha dorë të djathtë në përballimin e të gjitha vështirësive që më dilnin gjatë veprimtarisë sime politike çlirimtare. Edhe gjatë Konferencës së Rambujes, ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës dhe i Komisionit për Siguri, kryesues i të cilit isha unë.
Gjeneral Çopani dha kontribut madhor për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Prandaj ky kolos ushtarak meriton respektin e të gjithë kombit shqiptar, përfshirë edhe një varrim dinjitoz në Shqipëri.

U prehsh në paqe miku im i çmuar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Buxhet dhe Financa mbajti të mërkurën  takim me…