Hall i madh në Prishtinë e në Tiranë

08 janar 2018 | 14:06

Nga Mustafa Nano

Është e njëjta shfaqje në Prishtinë e në Tiranë: Nga njëra anë po rritet roli i të huajve në jetën publike e politike, e sidomos në reformimin e sistemit të drejtësisë që do të mund të çojë eventualisht në zhbërjen e klasave politike, për të cilat ka dakordësi, e prova, se janë të korruptuara, e nga ana tjetër, për rrjedhojë, po vihet re një rezistencë nga ana e këtyre të fundit me synimin për të mos lejuar ose për të sabotuar, këtë ndërhyrje të të huajve që në Prishtinë ka gjetur shprehje te Gjykata Speciale për krimet e supozuara të Luftës, e në Tiranë të ringritja nga e para e të gjithë sistemit të drejtësisë. Në të dyja vendet procesi në letër ka ecur me shpejtësi, dhe mund të quhet tanimë i mbyllur. Anëtarëve të parlamenteve në Prishtinë e në Tiranë u është marrë dhunshëm vota e miratimit. Deputetët e Republikës së Shqipërisë u mblodhën më 22 korrik 2016 si kurrë më parë, dhe votuan gjithashtu si kurrë më parë (morën pjesë të gjithë deputetët, dhe të gjitha votat, 140, u dhanë në favor të reformës). Në të njëjtën mënyrë, nën presion, votuan edhe deputetët e Kosovës në muajin gusht të vitit 2015.

Aq i fortë ishte presioni sa, në favor të amendamentit kushtetues për krijimin e kësaj Gjykate, votuan ata individë, të cilët do të jenë “lënda e parë” për vetë Gjykatën në fjalë. Këta tanimë janë penduar dhe po kërkojnë ta zhbëjnë atë amendament “të mallkuar” kushtetues, e për këtë mund të kenë edhe votat e deputetëve të Vetëvendosjes që këtë Gjykatë e kanë refuzuar (nga pozitat e sovranistëve) qysh në krye të herës. Në Tiranë nuk kanë ndonjë shans që procesin ta kthejnë mbrapsht. Jo sepse nuk duan, por sepse nuk kanë asnjë mundësi praktike për ta bërë një gjë të tillë. Madje, këtu janë të shumtë ata që besojnë se klasa politike është çuar në këndin e ringut, dhe aty është duke pritur goditjen e knockout-it.

Dy janë personazhet fuqiplotë në Prishtinë e në Tiranë: Greg Delawie dhe Donald Lu. Fuqia e tyre nuk buron prej fakulteteve individuale. Buron prej zyrës e prej statusit. Ata janë ambasadorë të një vendi që, në Shqipëri e ndër shqiptarë, shihet si një fuqi providenciale. Kanë qenë vetë politikanët shqiptarë që e kanë pranuar të parët, e me zhurmë, këtë rol të SHBA-ve. Për rrjedhojë, kanë pranuar, e kanë inkurajuar, protagonizmin e ndikimin e ambasadorëve amerikanë, që është shoqëruar me një pozitë të nënshtruar e të nëpërkëmbur të vetë klasës politike. Kjo qurravitje apo hapje krahu, apo kapitullim, apo quajeni si të doni, është theksuar e rritur përpjesëtimisht me korruptimin e tyre (politikanëve).

Mirëpo, fuqia e rritur e ambasadorëve po u bie mbi krye. Janë bërë nervozë, nuk i keni vënë re? Me këtë shpjegohet qoftë ndonjë insinuatë mediatike që i lidh këta ambasadorë me “Frankensteinin” Soros, qoftë “proamerikanizmi” i sforcuar, i stisur e teatral, si një as nën mëngë që politikanët e rrezikuar kanë në këtë histori. Me këtë shpjegohen më në fund edhe akuzat për korrupsion që kanë zënë të pëshpëriten kundër këtyre ambasadorëve. E duhet thënë që ky është një palaçollëk që mund t’ia kursejnë vetes.

Nuk ka gjë më absurde se sa të dëgjosh politikanët e Tiranës apo dikë tjetër në emër të tyre, që të akuzojnë për korrupsion të huajt. Në këto raste të bëhet se je në një botë me kokëposhtë. Sikur të kishin këllqe, do duhej të dilnin hapur, e në mbrojtje të një logjike gjenuine të gjërave, kundër protagonizmit ambasadorial në Shqipëri. Por nuk kanë këllqe. Sepse, përsëris, janë të korruptuar. Po të mos ishin të korruptuar, do të guxonin të silleshin me dinjitet me ambasadorët. Le që ç’them dhe unë! Nëse ata nuk do të ishin të korruptuar, asnjë ambasadori nuk do t’i shkonte mendja të merrte poza sheriff-i këtyre anëve.

Dhe meqenëse jam këtu, po ngre dy pyetje. E para: Është një gjë e mirë që ambasadorët amerikanë, dhe të huajt në përgjithësi, kanë kaq shumë peshë në jetën publike e politike të vendit? Ka që e shohin në mënyrë kritike, e të dëshpëruar, këtë dorëzim para të huajve. Por personalisht nuk shoh asnjë dramë në këtë mes. Dhe këtë nuk e lidh me rrethanat aktuale, në të cilat, pa ndikimin e tyre, nuk do të ishte bërë ndonjë punë e mirë këtyre anëve (sidozot, Reforma në Drejtësi). Jo, këtë gjë e shpreh në parim. Shoqëritë që nuk kanë kapacitete vetëqeverisëse, nuk duhet të vajtojnë humbjen e sovranitetit. Përkundrazi, duhet t’i gëzohen situatës, në të cilën aktorëve lokalë u ngushtohet hapësira e fuqia vendimmarrëse. Ja, më thoni, a nuk do të na shkonin punët tona më mirë, sikur disa sektorë a institucione, si ai i drejtësisë, i doganave, i policisë, i prokurorisë, të kishin qenë me kohë në duar të të huajve?

Dhe ky nuk është një diskutim që vlen vetëm për Shqipërinë, ku është dëshmuar prej rreth një shekulli se qeverisja sovrane nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse të prodhojë varfëri, diktatura, vrasje politike, plaçkitje të pasurisë publike, zhvillime kaotike, destabilitet politik, çrregullime të rendit publik e shitje të interesave kombëtare. Prej kohësh, nën efektin e një kulture marksiste apo edhe për shkak të një kompleksi të çuditshëm faji të fuqive botërore të vjetra e të reja, është bërë e udhës t’u jepen munxët ndikimeve perandorake, koloniale e imperialiste. Janë vetë fuqitë e mëdha me të shkuar koloniale që e bëjnë këtë gjë. Britania e Madhe është kampion i këtij vetëshqyrtimi kritik të së shkuarës së vet. Por kjo duket e padrejtë.

Nëse ka diçka sot që shkon mirë në vendet që kanë qenë koloni e britanikëve, ajo diçka ka të bëjë me trashëgiminë koloniale në lëmin e institucioneve, të edukimit, të sundimit të ligjit, të funksionimit të administratës publike etj. Doni shembuj të këtushëm? Në ende vijojmë të poetizojmë gjurmët apo dritën, që la pas Franca në Korçën e pas Luftës I Botërore, ndonëse francezët – kjo është tamam për të qeshur – nuk ndenjën më shumë se dy vjet atje. Më tej, reformat e punët e mëdha në Shqipërinë e Ahmet Zogut (në hartimin e ligjeve, ndërtimin e institucioneve, të infrastrukturës, laicizimin e shoqërisë e të shtetit etj.), ishin pasojë e “ndërhyrjeve kolonialiste”. Merrni Tiranën! E vetmja gjë e bukur, e qëndrueshme, e paprekshme që është bërë në 100 vitet e fundit është bulevardi qendror, që është ndërtuar nga italianët para Luftës II Botërore.

“Kjo është një optikë e gabuar, pasi nuk merr në konsideratë faktin që kolonialistët e imperialistët kanë menduar për interesin e tyre, e faktin tjetër që ata kanë bërë edhe krime, masakra, tortura në emër të mbrojtjes së ndikimit të tyre në vendet e marra nën patronazh”, mund të thotë ndonjëri. Tani, ky është një diskutim i gjatë dhe kompleks, që afërmendsh nuk mund të likuidohet me disa rreshta në një shkrim gazete, por ajo që mund të thuhet shpejt e shpejt është se pas një analize të tipit kosto/përfitim, kolonializmi, me pak përjashtime që përforcojnë rregullin, u ka sjellë më shumë qar sesa qeder vendeve të kolonizuara (në një sprovë të Bruce Gilley-t mbi këtë argument do mund të gjeni ca ide sugjestive). E nënvizoj këtë për të çyshtur një lloj frike a drojë, që vihet re te ca e ca, kur vjen puna te pyetja: A është mirë që Brukseli e Washingtoni të kenë një rol më të madh në qeverisjen e këtij vendi? Pa diskutim që është mirë. Prania e roli i të huajve në Shqipëri është një garanci, që neve nuk ka se kush të na e japë nga brenda. Sepse, përsëris, shqiptarët nuk janë në gjendje të vetëqeverisen. Kush thotë të kundërtën, bën një gilivili patriotik të kotë e të panevojshëm.

Pyetja e dytë: E pse qenka e thënë që kjo ndërhyrje e huaj, për më tepër në një version minimalist, ngaqë është e shprehur dhe e materializuar thjesht te një pushtet ambasadorial, të prodhojë rezultate? Kjo, në fakt, nuk është e thënë, pasi aktorët lokalë janë më të fuqishëm se sa mund të mendohet. Në këtë kuptim, zërat e këtushëm që kanë filluar të këndojnë para kohe Te Deum (në fakt: Te ShBA-um), apo ndonjë ambasador që ka folur për arrestime peshqish të mëdhenj gjatë vitit 2018, kanë krijuar pritmëri të mëdha, dhe kanë bërë që e gjithë loja të duket shumë e thjeshtë.

Mirëpo, do bënin mirë të përgatiteshin për një lojë të vështirë. Sepse përballë nuk është se kanë thjesht disa politikanë të korruptuar. Jo, përballë kanë një elitë të tërë sunduese, politike, ekonomike, financiare, kulturore, mediatike etj., dhe një masë jo të vogël shqiptarësh që, o për një interes, o për një trushpëlarje, janë bërë njësh me këtë elitë. Të gjithë këta përbëjnë një copë të mirë të Shqipërisë së sotme, së cilës po i vihen në rrezik favoret, privilegjet, paratë, pushteti, ndikimi. Dhe mos të na shkojë mendja se këta janë gati të dorëzohen./Mapo

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tifozët e Barcelonës duhet të presin edhe të paktën 20…