Hamdi Prenkut i jepet lamtumira e fundit, bashkëveprimtarët kujtojnë kontributin e tij në LPK
Familjarë, miq dhe bashkëveprimtarë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit Hamdi Sejdi Prenkut, i cili është ndarë nga jeta.
Ceremonia e varrimit është mbajtur në varrezat e lagjes Prenku në Dobroshec.
Ndarja nga jeta e Prenkut ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe bashkëveprimtarët e tij, të cilët do ta kujtojnë për jetën dhe kontributin e tij.
Besnik Kryeziu ka shkruar për vdekjen e bashkëveprimtarit Hamdi Prenku, me të cilin thotë se kishte bashkëpunuar gjatë viteve të 90-ta në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK).
Në një postim, Kryeziu ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Prenkut, duke kujtuar angazhimin e tij në një nga periudhat më të vështira për Kosovën dhe shqiptarët.
Ai ka treguar se Hamdi Prenku ishte kryetar i Këshillit Popullor të LPK-së në Würzburg të Gjermanisë dhe se ishte i pranishëm në demonstrata dhe organizime të ndryshme.
Kryeziu e ka përshkruar atë si një njeri me vlera të larta njerëzore, intelektuale dhe kulturore.
Në fund, ai u ka shprehur ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve dhe të gjithë familjarëve të të ndjerit, duke e përkujtuar kontributin e tij për çështjen kombëtare.



