Hamza: Reforma fiskale do të zbatohet në tërësi

04 janar 2018 | 15:12

Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, ka pritur të enjten në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, atë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka dhe kryetarin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha.

Në këtë takim është diskutuar për reformat fiskale dhe zbatimin e tyre nga 1 janari i këtij viti.

Me këtë rast ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se ndjehet i nderuar që me përfaqësuesit e bizneseve kanë arritur reforma të avancuara fiskale. “Ndjehem i nderuar që po fillojmë vitin me përfaqësuesit e bizneseve. Ne në fund të vitit paraprakë i kemi kaluar të gjitha procedurat administrative sa u përket masave të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit për bizneset, për investitorët e jashtëm, si dhe për prodhuesit vendor. Këto vendime janë në fuqi nga 1 janari dhe presim që këto vendime të implementohen pa asnjë vështirësi”, ka thënë Hamza.

Ai ka theksuar se qëllimi i këtyre masave është që të krijohet një ambient i favorshëm biznesi, në mënyrë që bartës i rritjes ekonomike të jetë sektori privat. “Këto vendime kanë të bëjnë me lirimin e tatimit të doganës, lëndëve të para, linjave të prodhimit dhe pajisjeve të IT-së. Pastaj vendimi tjetër që ka të bëjë me lirimin nga akciza për lëndët djegëse që përdorën në prodhim. Në strategjinë legjislative janë edhe Ligji për TVSh-në dhe Ligji për tatim në të ardhurat e korporatave dhe të ardhurave individuale, si dhe Kodi i doganave dhe akcizave”, ka thënë Hamza.

Më tutje, ministri Hamza ka apeluar tek përfaqësuesit e bizneseve që të jenë pjesë e grupeve punuese në mënyrë që bashkërisht të bëjnë reforma sa më të avancuara biznesi. “I luta përfaqësuesit e asociacioneve të bizneseve dhe kërkova nga ata që të jenë pjesë e grupeve punuese dhe me ekspertizën e tyre që kanë t’i identifikojmë problemet dhe bashkërisht t’i shtymë reformat përpara. Një nga reformat është edhe kalimi i TVSh-së nga kufiri në brendi”, është shprehur Hamza
I pyetur se pse është duke u zvarritur vendimi i 1 janarit nga ATK-ja dhe Dogana e Kosovës për disa prodhues vendor, Hamza është përgjigjur: “I sigurojë të gjitha bizneset se këto vendime do të ekzekutohen dhe nuk ka asnjë dilemë, sigurisht që është dita e parë e punës dhe njerëzit kanë nevojë të informohen dhe të pasinë me dokumentacione të nevojshme. Është dita e parë e punës dhe pa asnjë dilemë këto masa do të implementohen pa vonesa dhe pengesa”.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se po fillojmë vitin mbarë, pasi sipas tij takimi me ministrin Hamza është dëshmi se agjenda ekonomike do të jetë në fokus qeveritar. “Një fillim i vitit në këtë formë dëshmon më së miri se agjenda ekonomike nuk ka alternativë dhe dëshmon se po vazhdohet dialogu me sektorin privat. Kosovës nuk i bëhet nder me vendime popullsitë. Promovimi i sotëm i ministrit Hamza, është mbështetje dhe krijon lehtësira për sektorin prodhues”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se duhet ta kuptojnë të gjithë se emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit.

Në anën tjetër, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka thënë se vendimi i 1 janarit do të jetë në favor të prodhuesve vendor, pasi sipas tij më të prekurit janë prodhuesit vendor. “Për neve si Klub i Prodhuesve është më rëndësi zbatimi i këtyre masave, pasi sektori që prekët më së shumti është ai i prodhimit. Ne do të kemi lehtësira në importimin e lëndës së parë dhe prodhuesit kosovar do të jenë të barabartë me rajonin dhe në disa raste dhe më konkurrentë”, është shprehur Panxha.
Ai ka bërë me dije se Klubi i Prodhuesve, është duke punuar në një dokument për lehtësira në eksport, për të cilin ka thënë se do t’ia paraqesin Qeverisë së Kosovës.

Krejt në fund, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEK), Arian Zeka, ka thënë se vendimi i Ministrisë së Financave është kërkesë e kamotshme e kësaj ode, OEK-ut dhe së fundi edhe e Klubit të Prodhuesve. “Ky vendim është një realizim i kërkesës së kamotshme për avancimin e politikave fiskale që ju mundëson prodhuesve të jenë të barabartë me vendet e rajonit”, ka thënë ai.

Zeka ka thënë se reformat fiskale janë tregues i vazhdimësisë se punës se qeverisjes së kaluar, për të cilën gjë e ka përshëndetur dhe vendimin e ministrit Hamza. “Është një tregues i vazhdimësisë se qeverisjes së kaluar, pasi është nisur kjo reformë që nga viti 2013 në këtë vend se paku në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe politikave fiskale është dëshmuar se secila qeveri që vjen i vazhdon reformat”, ka thënë Zeka.

Zeka ka deklaruar se është përgjegjësi e tyre të apelojnë tek bizneset anëtare që edhe ata t’i përfillin rregullat fiskale dhe t’i kryejnë obligimet e tyre financiare. “Është përgjegjësi e jona që bizneset anëtare të jenë pjesë e kësaj përgjegjësie kolektive, derisa shteti ofron lehtësira edhe ata duhet t’i kryejnë obligimet tatimore dhe ata të ardhurave personale”, ka thënë Zeka.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, meqenëse është duke krijojua një mjedis më të mirë për tërheqjen e investitorëve në vend, nuk do të duhej që të degradoheshin aspektet tjera. “Meqenëse po krijohen lehtësira biznesore, nuk guxojmë që të degradojmë në aspekte tjera. Ne e diskutuam edhe çështjen e rritjes së pagave për sektorin publik dhe shpenzimeve Qeverisë. Të gjitha këto do të ndikojnë në rritjen e hendekut në mes të sektorit privat dhe publik dhe në ngritjen e ekonomisë informale. Janë vendime që Qeveria duhet t’i këtë parasysh, pasi po krijon lehtësirat për prodhuesit , por mos të sjell mpakte tjera që degradojnë ambientin e biznesit”, ka deklaruar Zeka.

(A.MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jose Mourinho është gati për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi…