Hapet biblioteka e Adem Demaçit

22 maj 2023 | 22:57

Në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë është hapur biblioteka e Adem Demaçit, ku i biri i tij ka deponuar një prej shkrimeve të veprimtarit të çështjes kombëtare.

Aty ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili ka bërë thirrje që të lexohen librat e Demaçit.

“Populli i Adem Demaçit, populli i bacës Adem, që i përdori më së miri burgjet si bibliotekë, nuk ka se si të mos e përdorë mirë bibliotekën për një liri më të ditur. Nuk mjafton t’i lexojmë librat e bacës Adem e të mësojmë për të, por duhet të shkojmë edhe tek biblioteka Adem Demaçi dhe te Adem Demaçi si bibliotekë, të lexojmë librat e tij por edhe të lexojmë librat që ai lexoi”, ka thënë Kurti.

E pranishme ishte edhe zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani.

“Në 20 vjetorin e këtij aktiviteti, në Bibliotekën Kombëtare, Pjetër Bogdani, sot u shpalos edhe biblioteka e Adem Demaçit – e mbushur me koleksion të librave dhe kujtimeve të dhuruara nga vet familja dhe miqtë e tij”.

“Përderisa kemi para një javë me përplot aktivitete në të gjitha bibliotekat e Kosovës, po ashtu tash kemi një hapësirë të veçantë për të qenë më afër mendësisë, ideve dhe veprimtarisë së Bacës Adem”, ka theksuar Osmani.

Ndërsa Shqiptar Demaçi, ka lexuar idenë për lëvizjen politike, të shkruar nga babai i tij.
Ai ka bërë me dije se të njëjtën letër, me shkrimin origjinal të Adem Demaçit, do ta deponojë në bibliotekë.

“Ne synojmë që në sistemin tonë politik të përfshijmë të gjitha të arriturat pozitive të deritashme të njerizimit në të gjitha fushat. 11 gusht, 2014, Prishtinë, Adem Demaçi. Kjo do të deponohet tani në bibliotekë do të mbesë aty, meqenëse është origjinali”, ka thënë i biri i Adem Demaçit.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur edicionin e 20 të Javës së Bibliotekës.

Aktivitetet do zgjasin deri me 28 maj ku do të ketë ligjërata e diskutime me temën “Biblioteka dhe shërbimi i referencave”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i Futbollit, Opoja është inkuadruar në Ligën e Dytë…