Hapet ekspozita ‘Kujtesa e Kosovës’ kushtuar Adem Demaçit

26 shkurt 2020 | 13:44

Në ditëlindjen 84-të të veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, është hapur ekspozita me fotografitë dhe pikturat e “Mandelës së Ballkanit” me temën “Kujtesa e Kosovës” nga Shoqata e të Burgosurve Politikë.

Pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes se kësaj ekspozite ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Me këtë rast, Kurti ka thënë se baca Adem mbetet veprimtari më unik i çështjes kombëtare.

“Jetën e tij e kuptonte si shërbim për popullin shqiptar. Kur nuk ishin shkollat shqiptare, Adem Demaçi ishte mësues, kur nuk kishim ushtri ai ishte luftëtar. Kur ishim të ndarë ai na bënte bashkë. Baca Adem i kushtoi jetën dhe idealin kombit shqiptar. Nuk përçante të tjerët për të na bashkuar. Adem Demaçi ishte vetëmohim me paramendim”, është shprehur Kurti, duke shtuar se pa Adem Demaçin rrugëtimi i tij nuk do të ishte i mundur.

“Një falënderim të veçantë pa të cilin rrugëtimi im do të ishte i pamundur. Adem Demaçi ka jetuar gjatë dhe shumë i tillë do të jetë ndikimi i tij. Si kryeministër zotohem se do të përkujdesëm për botimin e bacës Adem Demaçi”, ka thënë Kurti.

Ndërsa Selatin Novosella, nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, ka thënë se kur të na zbehet dashuria për atdheun duhet ta kujtojmë Adem Demaçin.

“Sa herë të na zbehet dashuria për atdheun do ta kujtojmë bacën Adem. Brezat duhet të mësojnë për Adem Demaçin. Shumica e njerëzve vdesin, por ai duhet të jetë pjesë e jetës sonë”, është shprehur Novosella.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, e ka pritur…