Ismail Kadare: letërsia si dëshmi
Dr. Blerina Rogova Gaxha
Drejtoreshë e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”
Ka shkrimtarë që krijojnë vepra letrare dhe shkrimtarë që, me veprën e tyre, krijojnë një univers të tërë letrar. Ismail Kadare i përket kësaj kategorie të rrallë. Ai është romancieri që krijoi një tekst të madh dhe një botë të madhe në të cilën lidhi në një nyjë realitetin, historinë, kulturën dhe etnosin shqiptar, për të krijuar një sistem të vetin.
Fuko shkruan se për të ëndërruar nuk duhet mbyllur sytë, duhet lexuar. Imazhi i vërtetë është njohje. Vepra e Kadaresë na fton për ta zbuluar atë. Me një vepër që kapërceu kufijtë e gjuhës dhe të hapësirës shqiptare, ai e bëri letërsinë shqipe pjesë të dialogut të madh të kulturës botërore, duke e shndërruar historinë, mitet, kujtesën dhe fatin e njeriut në lëndë të një krijimtarie me përmasa universale.
Megjithatë, për ta kuptuar plotësisht një shkrimtar, nuk mjafton të lexojmë librat e tij. Duhet të afrohemi edhe te gjurmët që ai ka lënë përtej veprës së botuar: te dorëshkrimet, letrat, shënimet, korrespondenca, fotografitë dhe dokumentet që dëshmojnë për kohën në të cilën jetoi, për marrëdhëniet që ndërtoi dhe për betejat intelektuale e morale që e shoqëruan. Pikërisht këtë mundësi ofron Katalogu për Kadarenë: një udhëtim nëpërmjet dokumenteve dhe materialeve që na e sjellin shkrimtarin më pranë, jo vetëm si autor të një vepre të jashtëzakonshme letrare, por edhe intelektual i angazhuar në historinë e kohës së tij.
Dorëshkrimet dhe letërkëmbimi, shkrimet e botuara në shtyp, librat, fotografitë, dekoratat dhe objektet e përfshira në këtë katalog krijojnë një mozaik dëshmish, secila me vlerën dhe domethënien e vet. Në to shfaqet një dimension tjetër i Kadaresë: ai i shkrimtarit që nuk e kufizoi fjalën brenda hapësirës së letërsisë, por e përdori atë edhe si mjet ndërhyrjeje në çështjet që preknin fatin e popullit shqiptar.
Një vend të veçantë në këtë tërësi zënë dokumentet që lidhen me Kosovën. Shkrimet, intervistat dhe letrat e Kadaresë, përmes të cilave autori iu drejtua institucioneve dhe personaliteteve ndërkombëtare, dhe të cilat dëshmojnë për angazhimin e tij ndaj çështjes së Kosovës në periudha vendimtare të historisë së saj. Përtej vlerës së tyre historike, këto dokumente na rikujtojnë përgjegjësinë që mbart fjala publike kur historia e vë njeriun përballë zgjedhjeve të mëdha morale.
Për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, realizimi i kësaj ekspozite dhe përzgjedhja e materialeve që prezantohen në katalog, realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, Shtëpinë Studio Kadare dhe me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, është një akt dokumentimi dhe një përpjekje për ta ruajtur e për ta bërë të qasshme memorien kulturore, për të krijuar lidhjen mes veprës e historisë, mes dokumentit e lexuesit, mes trashëgimisë të së kaluarës e pyetjeve të së tashmes.
Katalogu synon të jetë një ftesë për ta parë Kadarenë nga afër, për ta zbuluar nëpërmjet gjurmëve të dorës së tij, për të lexuar atë çfarë ruajnë dokumentet dhe për të reflektuar mbi kuptimin që koha ua jep.
Në fund, mbetet bindja se veprat e mëdha nuk përfundojnë me kohën e krijimit të tyre. Ato vazhdojnë të jetojnë përmes leximeve, dokumenteve, kujtesës dhe pyetjeve që ua shtrojmë. Ismail Kadare mbetet një prej zërave më të rëndësishëm me anë të cilit letërsia shqipe flet me botën. Ky katalog është një mënyrë për ta ruajtur atë zë, për ta afruar me lexuesit dhe për t’ua përcjellë këtë madhështi brezave të ardhshëm, e pos madhështisë së artit të fjalës, edhe gjurmët e një jete në të cilën letërsia, historia dhe përgjegjësia ndaj fjalës ndërthurën në mënyrë të pandashme.
Fjalë rasti në hapjen e ekspozitës “Kadare e Kosovës”, më 6 nëntor 2026, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës



